Ish-deputeti i LSI Shezai Rrokaj me anë të një statusi në “Facebook” shprehet se shfaqja e Manjës pas skandalit të përgjimeve ishte si mafioze.

Rrokaj thotë se Manja kërkoi hetim për ata që nxorën përgjimet dhe jo për atë çka denoncohet në to. Ai shton se në këto kushte, asesi nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Statusi i ish-deputetit të LSI Shezai Rrokaj:

Për mazhorancën problem është fakti i nxjerrjes së sekretit, jo fakti që ka ndodhur! Kreu i ligjeve Ylsi Manja, nga foltorja e Kuvendit, floli për nxjerrjen e sekretit hetimor lidhur me 6 përgjimet e botuara nga gazeta prestigjioze Bild.

Me një ftohtësi prokurori ai tha se këto nuk janë as të paverteta e as gjysmë të vërteta dhe se mediat pranë opozitës po kërkojnë ta spostojnë vemendjen e opinionit publik. E çuditshme! Për të nuk ka rëndësi fakti se eksponentë të lartë të forcës së tij politike janë përfshirë në krim elektoral me pasojë deformimin e rezultatit të zgjedhjeve. Për të rëndësi ka fakti pse dolën në media. Po pse nuk është shqetësuar ai dhe forca e tij prej më shumë se 2 vite për zbardhjen e këtyre dosjeve?

Çfarë është më e rëndësishme: fakti i publikimit apo fakti që kjo gjë ka ndodhur me zë e me figurë? Po për dosjet e tjera të ‘peshqve të mëdhenj, që flenë në Prokurori prej vitesh, pse nuk shqetësohet mazhoranca kur krerët e prokurorive i vuri kë deshi? Këto nuk janë thashetheme e as shenja filxhani. Si mund të futesh në zgjedhje në këto kushte? Ky është një turp që u bëhet qytetarëve të ndershëm, të cilëve u deformohet vullneti me kësi shfaqjesh mafioze. Ndaj, mos u merrni me opozitën sesi duhet të jetë ajo! Merruni me veten! Por është tepër vonë për pastrim. Kjo politikë duhet spastruar. Politika shqiptare e të dyja kahjeve ta mbledhë mendjen. Zgjedhje të lira dhe shtet funksional pa lidera autokratë! Drejtësi të barabartë për të gjithë!

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb