Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një konferencë për shtyp ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni në lidhje me rastin e përgjimit të telefonit të kreut partisë më të madhe opozitare nga shërbimi i inteligjencës greke ndërsa ai ishte anëtar i Parlamentit Evropian në shtator 2021.

Në një përpjekje për të kufizuar dëmin politik të shkaktuar nga akuzat, Mitsotakis tha na fjalën e tij drejtuar kombit se megjithëse operacioni i vëzhgimit ishte i ligjshëm dhe “gjithçka u bë në përputhje me ligjin, ishte i gabuar.

“Nuk e dija për këtë dhe nuk do ta lejoja kurrë. Shërbimi grek i inteligjencës nënvlerësoi dimensionin politik të këtij veprimi”, tha gjithashtu Mitsotakis, duke shtuar se kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.

Skandali shpërtheu për herë të parë javën e kaluar kur Nikos Androulakis zbuloi se ishte informuar nga Parlamenti Evropian për një përpjekje për të futur telefonin e tij celular me softuer vëzhgimi.

Më pas ai paraqiti një ankesë në Gjykatën e Lartë të Greqisë për “tentativë” spiunimi në telefonin e tij celular.

Hetimi i mëtejshëm tregoi se përveç tentativës për hakimin, telefoni ishte përgjuar nga Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë (EYP) gjatë një periudhe tre mujore në vitin 2021.

“Unë kurrë nuk prisja që qeveria greke të më spiunonte duke përdorur praktikat më të errëta”, tha Androulakis në një fjalim televiziv të premten.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb