TIRANE- Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka në një deklaratë për mediat ka komentuar videoregjistrimin e kryeministrit Rama të publikuar nga parardhësi i tij Sali Berisha, ku sipas Palokës, dëëgjohet kryeministri Rama t’ju kërkojë drejtorëve të administratës të mbledhin vota e të deklarojnë se sa.

Sipas Palokës edhe pse Rama ka deklaruar se bëhej fjalë për drejtorët e fushatave, kjo është një tentativë e tij dhe e kreut të LSI-së, Meta për të manipuluar zgjedhjet. Paloka i kërkoi Perokurorisë të hetojë, gjithashtu edhe OSBE-së.

“Kryeministri Rama është kapur dhe një herë në flagrancë duke shkelur ligjin. Një tjetër skandal i është shtuar vargut të gjatë të skandaleve të dyshes Rama-Meta që prej dy vjetësh po sundojnë shqiptarët duke dhunuar hapur të drejtat e tyre nëpërmjet shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës. Në një material të bërë publik dje, kryeministri Rama, gjatë një takimi me struktura të Partisë Socialiste dhe drejtues të administratës shtetërore, urdhëron qartazi angazhimin e drejtorëve të administratës në marrjen e votave për kandidatët e maxhorancës parlamentare. Sipas Ramës, çdo drejtor jo vetëm duhet të marrë nën përgjegjësi disa qendra votimi, por nën përgjegjësinë e tij personale duhet të deklarojë ”me letër”- siç urdhëron Rama, se sa vota gjenden për maxhorancën në secilën kuti.Ky është një skandal që tregon qartazi se sa keq janë zhytur në llumin e antiligjit kryeministri dhe i dyti i tij Meta. Edhe vetë reagimet e këtyre të dyve pas denoncimit të skandalit, tregojnë qartazi jo vetëm implikimin e tyre në këtë aferë të ndyrë por edhe tentativat e dështuara për të fshehur të vërtetën. Meta, i cili pranon se ka qenë i pranishëm në takim, si specialist i afirmuar tashmë për afera të tilla, fillimisht e quan atë “montazh” dhe menjëherë pas kësaj pranon që në takim ka patur drejtorë të administratës, por që janë pjesë e strukturave të partisë. Në anën tjetër në “përgënjeshtrimin” e Ramës flitet për ”drejtorë fushate” e jo drejtorë administrate. Atëherë kë të besojmë nga dyshja, Metën që pranon se ka patur drejtorë administrate, apo Ramën që flet për drejtorë fushate? Të dy e dinë mirë se abuzimi dhe përfshirja e administratës qoftë dhe në fushatë, është shkelje e ligjit. Po a mbeten vetëm këtu urdhrat e Ramës për drejtorët? Çdo të thotë që drejtorët duhet të marrin “nën përgjegjësi personale” çdo kuti votimi? Mos flitet për blerje votash? Mos drejtorët me paratë e korrupsionit duhet të blejnë votat në kutitë për të cilat mbajnë përgjegjësi? Çdo të thotë që secili prej tyre duhet të dijë se sa vota ka në çdo kuti për PS-LSI? Si mund të dijë një drejtor administrate se sa vota janë në një kuti votimi pa filluar ende votimi”,-shprehet Paloka.

“Duket qartazi se Rama dhe Meta edhe këtë herë, më shumë se çdo herë tjetër, të bindur se do të përballen me revoltën e shqiptarëve në kutitë e votimit, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë zgjedhjet. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë menjëherë mbi këtë skandal. OSBE dhe ODIHR të marrin menjëherë në shqyrtim dhe të marrin masa për të analizuar këtë skandal me shkeljen e ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Përfaqësive të SHBA-së dhe vendeve të BE-së që të drejtojnë gjithë vëmendjen e duhur ndaj këtij skandali që cënon haptazi zgjedhjet e lira në Shqipëri. Partia Demokratike është e vendosur që të përballë personalisht me ligjin dhe të drejtën e qytetarëve, këdo që do të guxojë të cënojë votën e shqiptarëve”,-vijoi ai.

PS: Ti ka detyrë të shpifësh, ja çfarë i ka kërkuar Rama administratës
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me akuzat e selisë blu. Sipas PS-së, nga kampi blu vijnë vetëm shpifje. Sipas PS-së kryeministri ka kërkuar nga drejtorët e administratës të mos përfshijnë punonjësit në fushatë, po ashtu as nxënësit e shkollave.

Edi Paloka e ka detyrë partie të shpifi dhe shajë. Këtë ai e ka pranuar edhe vetë përpara gjykatës ku është i akuzuar për shpifje ndaj kryeministrit. Madje Edi Paloka u ka pohuar gjykatësve se shpifja është e drejtë e njeriut kur njeriu merret me politikë. Duke e respektuar të drejtën e këtij njeriu, shtabi i fushatës elektorale të Partisë Socialiste nënvizon se kryetari i Partisë Socialiste, as nuk ka bërë dhe as nuk do të bëjë mbledhje me administratën për ta angazhuar atë në fushatën e PS duke përdorur detyrën e kryeministrit. E njëjta gjë vlen edhe për çdo ministër të qeverisë sonë. Koha kur kjo ndodhte rëndom, ka vdekur në 23 qershor 2013.

“Si kryeministër, Edi Rama ka urdhëruar që çdo anëtar i qeverisë, përfshi edhe atë vetë, t’i mbulojë me të ardhurat e veta çdo shtesë shpenzimesh karburanti gjatë periudhës së fushatës. Po ashtu, kryeministri ka bërë të qartë se nëse do të ketë raste mbylljeje shkollash apo nxjerrjeje të organizuar nga drejtoritë ose mësues të caktuar të nxënësve në aktivitete elektorale, ndëshkimi do të jetë i pashmangshëm për çdo person përgjegjës. E njëjta gjë vlen edhe për çdo abuzim të mundshëm me administratën të cilitdo që ka për qëllim të detyrojë punonjësit e shtetit të marrin pjesë në fushatë ose të votojnë me detyrim partinë në pushtet. Koha kur kjo ndodhte rëndom ka vdekur në 23 qershor 2013.
Sa i takon shpifjes së radhës së Partisë Demokratike, përmes shpifësit profesionist Edi Paloka sot dhe shefit të tij Sali Berisha dje, sqarojmë edhe njëherë se çka përdoret si provë e ndonjë shkeljeje të etikës së kryetarit të Partisë Socialiste në raport me administratën është një trillim qesharak për këdo që e di se si është e organizuar makineria elektorale e Partisë Socialiste”,-thuhet në deklaratë.

Më tej Partia Socialiste sqaron se, “Kryetari i Partisë Socialiste bën mbledhjet që ka për detyrë të bëjë në çdo bashki me strukturat e partisë, ku flet pikërisht për organizimin e brendshëm dhe detyrat e çdo drejtori operacional apo përgjegjësi të zgjedhjeve lidhur me çdo qendër votimi. Në këto mbledhje marrin pa asnjë dyshim pjesë edhe anëtarë të PS që janë në role të caktuara drejtuese në administratë, ashtu sikundër besojmë se të njëjtën gjë bëjnë edhe ata që janë anëtarë të PD kur mblidhen strukturat e tyre. Njësoj si të tjerët, në fushatën elektorale këta individë kanë detyra dhe përgjegjësi konkrete për të nxitur pjesëmarrje si dhe përmirësuar rezultatet e fushatës zgjedhore.

Koha kur PD ishte shteti dhe shteti ishte PD ka vdekur edhe ajo në 23 qershor. Sot kush do aktivizohet gjatë fushatës me kë parti do dhe qeveria nuk merret me listat e atyre që shkojnë në takimet e PD për t’i pushuar nga puna në shtet. Edhe kjo kohë ka vdekur në 23 qershor. Organizimi ynë është bërë prej kohësh bazuar mbi qendrat e votimit dhe mbi statistikat e çdo kutie votimi në vite. Por Edi Paloka dhe PD- ja e Saliut nuk kanë faj që kur flitet për kuti, mendojnë se flitet për vjedhje votash, pasi kutitë e votimit i kanë parë dhe trajtuar gjithnjë si mall për t’u vjedhur. Koha e vjedhjes së votave dhe e mbushjes së kutive vdiq edhe ajo në 23 qershor 2013, falë betejës historike të Partisë Socialiste për të vendosur lirinë e zgjedhjeve në themelin e jetës politike shqiptare. Edi Paloka dhe PD-ja e Saliut mund të vazhdojnë të shpifin sa të duan sepse jo vetëm nuk dinë asgjë tjetër, po edhe s’kanë asgjë tjetër për të bërë. Në 21 qershor do të marrim të gjithë përgjigjen që meritojmë nga zgjedhësit tanë dhe do të shohim se kush ka dhe kush nuk ka të drejtë në ato që bën apo në ato që thotë. Edi Paloka dhe PD-ja e Saliut janë te ftuar miqësisht të sajonë ndonjë gjë me pak qesharake qe te na japin mundesine t’i marrim pak me seriozisht shpifjet e tyre”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: