GJERMANI-Prokurorët federalë në Gjermani thonë se kanë mbyllur një hetim një vjeçar lidhur me përgjimin e supozuar të telefonit celular të kancelares gjermane Angela Merkel nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara.

Zyra e kryeprokurorit gjerman njoftoi dje se kjo çështje është mbyllur, sepse hetuesit nuk mundën të gjejnë fakte të cilat mund të provoheshin ligjërisht në gjykatë.

Akuzat se NSA ka përgjuar disa nga aleatët e evropianë të SHBA u shfaqën në fund të vitit 2013, në dokumente të nxjerra nga ish kontraktori i NSA-së Edward Snowden, raporton Zëri i Amerikës.

Gjatë një telefonate në tetor të vitit 2013, kancelarja Merkel i shprehu shqetësimin e saj Presidentit Barack Obama lidhur me akuzat se NSA kishte përgjuar komunikimet telefonike të saj.

Presidenti Obama ju përgjigj se SHBA nuk përgjojnë dhe nuk do të përgjojnë ndonjëherë telefonatat e saj.

Një ditë pas kësaj bisede telefonike, ambasadori amerikan në Gjermani u takua me Ministrin e Jashtëm gjerman lidhur me këtë çështje.

Presidenti Obama po ashtu urdhëroi rishikimin e mënyrës se si zbulimi amerikan grumbullon të dhëna, për të patur një ekuilibër mes shqetësimeve të sigurisë dhe privacisë dhe për t’u siguruar që të mos ketë përgjime për aleatët e huaj të SHBA.

Lajmi për përgjimin e supozuar u bë i njohur nga gazeta gjermane Der Spiegel në tetor të vitit 2013.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: