TIRANË- Deputeti i LSI-së Spartak Braho ka reaguar pas publikimit të bisedës audio mes tij dhe Ndre Legisit të bërë në një lokal, që ish-kryeministri Sali Berisha e quan misterioz.

I pyetur për bisedën telefonike që nxori Berisha në statusin e tij në “Faceebook” Braho tha në një prononcim për “BalkanWeb” se ishte një bisedë mes shokësh, duke kujtuar grevën e vitit 2008 që i bashkoi. Braho e quan Berishën paranojak përgjimesh dhe thotë se nuk e ka harruar zanatin e vjetër të informatorit.

Sipas tij, kjo bisedë është publikuar për të tërhequr vëmendjen nga kriza.

“Nuk e kuptoj se ku ishte ‘vlera’ e asaj bisede të përgjuar në një vend misterioz. Një muhabet normal shokësh që dy forcat e vjetra politike i detyruan të futen në grevë urie në vitin 2008 por si paranojak përgjimesh ai nuk e ka harruar zanatin e vjetër të informatorit dhe hedh në pazarin mediatik manipulime bisedash për të tërhequr vëmendjen nga kriza ku e ka futur PD rrangalla politike vazhdon ashtu siç thotë populli fjalën e urtë me qen dhe qime”, deklaron Braho, shkruan “BalkanWeb”.

Ish-kryeministri publikoi dje në mbrëmje një audio ku dëgjoheshin të flisnin Braho dhe Legisi. Në bisedë e sipër, Braho deklaronte se ‘e kishte mbajtur Ilir Metën me bajame’, apo se ‘e kishte telefonuar Rama dhe i kishte thënë se të hodhi poshtë Luan Rama’.

BISEDA E PËRGJUAR MES SPARTAK BRAHOS DHE NDRE LEGISIT

Ndre Legisi: Nuk është halli jonë ky…
Spartak Braho: Është halli i tyre…
Ndre Legisi: Halli i atyre është…
Spartak Braho: Nga greva e urisë ikët të gjithë ju. Edhe unë që ngela…
Ndre Legisi: Vetëm Iliri (Meta)…
Spartak Braho: Ilirin (Meta) e mbajta unë gjallë, ti e di shumë mirë. E ushqeja me bajame.
Ndre Legisi: Unë e di, gjithë jetën këtë kemi bërë.
Spartak Braho: Ça ke bërë ti, mirë?
Ndre Legisi: Unë mirë. Ça me bo kot.
Spartak Braho: Rama (Kryeministri Edi Rama) mori në telefon në mëngjes.
Ndre Legisi: E di e di, fola unë në telefon me të. Nga ora 11:20.
Spartak Braho: E kishe knaq atë, më tha mu. Të hodhi poshtë Luan Rama. Po mirë e bëri i thashë unë.
Ndre Legisi: S’ka problem ajo punë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: