Dy herë në historinë e shtetit shqiptar, vendi ynë ka qenë anëtar blloqesh politiko-ushtarake. Një pesëvjeçar me Traktatin e Varshavës (1955-1960) dhe me kërkesë të gati para tre dekadave, kandidat më 2008 në Bukuresht dhe anëtar më 2009 në Samitin e Këln Strasburg-ut, në Organizatën më jetëgjatë të sigurisë botërore. Fakt është se kur ndonjë zë i mekur, para tre dekadash thoshte, “çfarë e duam NATO-n?!”, “Pse duhet të qëndrojë në këmbë një organizatë politiko-luftarake e njerit bosht, kur Traktati i Varshavës përfundoi misionin e tij…”, etj deklarime ndërkohë që koha ju dha përgjigje, “ndërgjegjes së vrarë” të ndonjë vendi europian. Zëra të tjerë u dëgjuan edhe më vonë kur Aleanca Euroatlantike vijonte misionin në mbi shtatë dekada. Vitin e kaluar ndonjë zë si Emmanuel Macroni, nuk mundi të gërvishë as vesën e godinës së re të NATO-s në Bruksel, veçse “mund të shkruajë emrin kur xhamat vishen me avuj!”. Retë e moskuptimit do të shuheshin shpejt, dhe koha do të kthjellohej. Siguria europiane i ka themelet pikërisht tek uniteti euro-atlantik, i sigurisë dhe i ekonomisë. Plotë 21 vjet më parë më 24 mars 1999 aleanca më e fuqishme ushtarake botës, NATO, filloi bombardimet në objektivat ushtarake dhe policore serbe. Prandaj sot është një datë, që simbolizon përvjetorin e një ngarje madhorë, që tashmë është daltuar përjetësisht dhe përgjithmonë në memorien kombëtare të shqiptarëve të këtej Drinit dhe shqiptarëve të matanë Drinit. Ndërhyrjes energjike të NATO-s, i parapriu Konferenca e Rambujesë në afërsi të Parisit të Francës nga 6 shkurti deri më 23 shkurt 1999, që synonte zgjidhjen e krizës në Kosovë. Iniciues të konferencës, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Cristopher Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së. Edhe pse shqiptarët firmosën, tentative diplomatike dështoi kështu “Kasapi i Ballkanit”, nuk e kuptonte gjuhën e diplomacisë së shteteve të mëdha. Prandaj stuhia e raketave dhe bombardimeve nuk do të vononte. Fakt është se një ditë më parë në mbrëmjen e 23 marsit, të para 21 vitesh, misionari amerikan, Ambasadori i shquar Riçard Hollbrook (1941-2010), ishte kthyer nga bisedimet me Miloshevicin në Beograd. Stacioni i tij ishte pikërisht selia e vjetër e NATO-s në Bruksel, sepse pas tavolinave të gjelbra diplomatike, fjalën e kishte kundërpërgjigjia e NATO-s. Kushdo për momentin e kuptonte se kjo kishte qenë edhe përpjekja e fundit diplomatike për të evituar ndërhyrjen ushtarake në ish-Republikën Jugosllave, ose më saktë në Serbinë e mbetur. Ka qenë sulmi më i madh i aleancës Euroatlantike në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës, duke treguar vendosmërinë e shteteve të demokracisë perëndimore për t’iu kundërvënë diktatorit Milosheviç, që nuk ndalej me dhunë të çmendur sistematike, vrasje, masakra, gjenocid dhe spastrim etnik mbi shqiptarët e Kosovës. Kërkohej pikërisht që të gjunjëzohej një kriminel që kishte shtrirë gjymtyrët përtej “hisesë së diellit”, që i takonte. Shqiptarët i kanë një borxh të madh NATO-s, një borxh të përjetshëm ndaj mirënjohja për sulmin serioz ushtarako – humanitar të Euroatlantikasve, i cili zgjati 78 ditë dhe që rezultoi me largimin e administratës, ushtrisë dhe policisë serbe nga territori i Kosovës dhe krijimin e shtetit më të ri në botë, të njohur aktualisht nga 115 shtete të botës. Fushata ajrore për çlirimin e Kosovës është një ngjarje madhore në radhë të parë për shqiptarët, por edhe për “të mëdhenjtë europianë”, për politikën e pandryshuar Uillsoniane amerikane. Ngjarja ndryshoi përjetësisht gjeopolitikën rajonale ballkanike dhe europianiste. Kombit Shqiptar po i buzëqeshte fati në ndërrim të shekujve dhe mijëvjeçarëve, fat që duhet mbrojtur. Legjitimisht dhe përgjithmonë do të kujtohet ndërhyrja e fuqisë më të madhe ajrore të planetit të SHBA dhe NATO-s, të cilat u angazhuan për herë të parë në një luftë përtej “Artikullit V”, në emër të lirisë dhe besimit në vlerat demokratike tashmë të mbështetura nga Bill Klinton, Tony Blair etj., lidera europianë. Për këtë arsye memorialët pë rata që e mundësuan këtë ditë janë shumë pak. Mirënjohja në përjetësi nga gjithë shqiptarët është plotësisht e legjitimuar. Bombardimet mbi instalimet ushtarako-policore kishin vënë në shinjestër Sllobodan Millosheviçin, “Kasapin e Ballkanit”, që u finalizua me “Marrëveshjen e Kumanovës”, ku u nënshkrua kapitullimi i plotë i rregjimit serb si dhe të drejtës së Serbisë mbi Kosovën. Më 12 qershor 1999 trupat e NATO-s u futen në territorin e çliruar të Kosovës, të mirëpritura nga një popull i tërë i etur për liri. Lufta i shkaktoi Kosovës, “dhimbjes së Europës” në kërthizë të saj, mijëra të vrarë apo të zhdukur dhe shkatërrimin në masë të fshatrave, por edhe të banesave nëpër qytete, dëmtim e shkatërrim të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare, siç ishte shtëpia dhe Memoriali i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një “këmbar i shenjtë historik” i shqiptarizmës, por nuk mundën ta shuajnë drejtësinë, sepse “e drejta zhytet por nuk mbytet” thotë një maksimë e shqiptarëve. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavaresinë e kushtezuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur pas një viti nga propozimi i Ahtisarit. Nëntë vjet pas çlirimit, më 17 Shkurt 2008, shqiptarët e Kosovës shpallën Pavarësinë e Kosovës, që me simbolin “Newborn” çelën aspirata të shumta që vijojnë edhe sot drejt ëndërrës europiane për t’u bërë pjesë e BE-së, por edhe të NATO-s, këtij gjigandi të sigurisë së planetit tonë. NATO është mjaft aktive dhe në shtëpinë e vet në Ballkanin Perëndimor. Fakt është se ballkanasit janë pjesë e botës perëndimore dhe i përkasin perëndimit. Me NATON Ballkani është gjithmonë e më i sigurt. Po, ëndërra e shqiptarëve vazhdon! Përtej situatës virusale Covid-19 dhe përtej politikëss së paqëndrueshme të liderve të Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: