Në mbledhjen e bërë ditën e sotme të Komitetit Teknik i Ekspertëve, është bërë e dije se lidhur me virusin e hepatitit tek fëmijët që është përhapur në disa shtete në botë, deri më tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast.

Mjekja Silva Bino tha se ISHP është në gjendje që të identifikojë këtë virus ndërsa prej tre javësh janë në alert për të evidentuar raste të mundshme, por deri më tani nuk ka vend për shqetësim.

“Ne kemi marr njoftimin për hepatitin, nuk kemi të dhëna në vendin tonë, natyrisht rastet më të shumta janë në MB dhe SHBA. Kemi ngritur vëmendjen, kemi ngrit alerin. Deri tani asnjë shenjë shqetësuese. ISHP është në gjendje të bëjë identifikimin e adenovirusit”, tha ajo.

Ndërkohë Gjeorgjina Kule, Shefja e Pediatrisë Infektive në QSUT, tha sa u përket shenjave të këtij virusi për të cilat prindërit duhet të shqetësohen, përfshijnë shqetësime të traktit tretës, si diarre apo të vjella.

“Shenjat lidhen me traktin tretës, të vjella, diarre, këputje dhe zverdhje të lëkurës. Nëse ka turbullira të traktit tretës dhe nuk qetësohen, të drejtohen te mjeku i familjes për të mos na shpëtuar ndonjë rast dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Kemi vënë re çrregullim të mëlçisë në kuadër të Covid, por  të gjitha rastet janë trajtuar. Jemi vigjilent”, u shpreh Gjeorgjina Kule, Shefja e Pediatrisë Infektive në QSUT.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb