Në vazhdën e operacionit të koduar policor, “Perimetri”, janë vënë në pranga dy persona. Policia njofton se shtetasit A. Gj., 37 vjeç dhe L. S., 50 vjeç banues në Elbasan, janë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pasi janë konstatuar se po transportonin emigrantë të paligjshëm. Dy shtetasit e arrestuar, i premtonin emigrantëve kalimin në një nga vendet e BE.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej të arrestuarve ka qenë i ndaluar edhe një herë më parë për këtë veprimtari të paligjshme, e aktualisht ndodhet në “Arrest shtëpie”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Transportonin kundrejt shpërblimit emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.

Njëri prej të ndaluarve, i arrestuar edhe një herë më parë për këtë veprimtari të paligjshme, u kap duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Gj., 37 vjeç dhe L. S., 50 vjeç, banues në Elbasan.

Shërbimet e policisë, kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, në Maliq, shtetasin A. Gj., me mjetin tip “Renault”, duke transportuar dy emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezultoi se bashkëpunëtor me 37-vjeçarin, në këtë aktivitet kriminal, ishte edhe shtetasi L. S., i cili u kap në afërsi të fshatit Sovjan, Maliq, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendimin e datës 17.11.2020, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb