Laçi u përball me telashe në fushë pas daljes së Spahiut me karton të kuq që në mesin e pjesës së parë, por ky ishte vetëm një prej problemeve të shumta në Moldavi.

Mësohet se tre afrikanët, Guindo (Mali), Babatunde (Nigeri) dhe Adeleke (Nigeri) kanë pasur vështirësi të mëdha për të qëndruar në territorin moldav. Të tre lojtarët janë nisur nga aeroporti i Rinasit dhe kanë mbërritur në Moldavi, por me zbritjen atje kanë nisur edhe problemet.

Tre futbollistët janë ndalur nga autoritetet e aeroportit, për shkak se, sipas këtyre të fundit, kanë pasur probleme me dokumentacionin. Fatkeqësisht problemi nuk është zgjidhur shpejt dhe Adelekes, Guindos e Babatundes u është dashur të qëndrojnë plot 26 orë të ngujuar në aeroportin e Moldavisë.

Për incidentin u njoftua edhe UEFA dhe fatmirësisht gjithçka u zgjidh para ndeshjes. Tre lojtarët i janë bashkuar grupit vetëm 4 orë përpara ndeshjes. Ndeshjen e nisi si titullar vetëm Adeleke dhe Babatunde e Guindo u aktivizuan nga stoli. Vuajtjet e mëdha të kaluara në aeroport duket se vetëm i kishin karikuar lojtarët, pasi të tre shkëlqyen në fushë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb