Drejtori i “News24” dhe “BalkanWeb”, Robert Rakipllari i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me situatën brenda Partisë Demokratike pas përjashtimit të 4 deputetëve nga grupi parlamentar i demokratëve.

Rakipllari deklaroi se Alibeaj nuk mundet të përjashtojë deputetë nga partia, duke e konsideruar këtë veprim si “absurd”, ndërsa shtoi se ka pasuar një “artificë” të tij duke pretenduar se deputëtët në këtë rast nuk kanë dënuar veprimet e para një viti në selinë blu.

Sipas tij përjashtimi i deputëtëve është një lëvizje taktike nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, për të ruajtur postin, i cili në momentin kur nuk është vendosur ende kujt i përket logoja e PD-së është tejet i rëndësishëm.

“Nuk është aq e lehtë të thuash kush ka të drejtë e kush jo në këtë rast, ajo që unë kam parë si informacion është që nga pikëpamja përmbajtësore, Alibeaj nuk mund të përjashtojë dot deputetë nga partia. Është lëvizje taktike e Alibeajt për  të ruajtur postin e tij si kryetar i partisë. Në momentin kur gjykata e Apelit nuk e ka zbuluar ende vendimin e saj se kujt i takon logoja e PD-së, posti i kryetarit të grupit parlamentar ka rëndësi shumë të madhe. Në këtë kuptim Alibeaj ka ndërmarrë një lëvizje taktike për të përjashtuar këta deputetë duke gjetur këtë artificë se ata nuk kanë respektuar mbledhjen e para një viti në lidhje me qëndrimet e tyre. Ajo mbledhje ka qenë mjaft e tensionuar sipas informatave, por mendoj se Alibeaj nuk mund të përjashtojë asnjë deputet nga partia pasi kjo është absurde.

Përmbajtësisht të përjashtosh dikë nga grupi është të përjashtosh dikë nga partia, është nonsens. Si mund të përjashtojë Alibeaj Tritan Shehun nga partia, person që e ka themeluar atë. Është një vendim vetëm me SMS. Grupi ka 40 deputetë, 21 firma duhen që të shkarkojnë Alibeajn, ku dhe kjo është një procedurë pak e çuditshme, megjithatë numrat brenda opozitës tregojnë se kush duhet të jetë kreu i grupit parlamentar. Janë lëvizje taktike të të dyja palëve për të marrë kryesinë e grupit parlamentar”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: