Përjashtimi nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i 4 deputetëve mbështetës të Berishës, shihet nga Edi Paloka dhe Belind Këlliçi si çmenduria e radhës së Enkelejd Alibeajt në shërbim të Edi Ramës. Sipas tyre, veprim i Alibeajt i shërben vetëm qeverise socialiste, dhe aspak bashkimit të demokratëve.

“Është akt mëse i turpshëm, me mungesë dinjiteti nga ai zotëria, por politikisht është heqja e maskave, sepse ai tregoi se është në bashkëpunim me Ramën. Ai mund të vijë një ditë dhe të përjashtojë të gjithë deputetë dhe Rama të vazhdojë lojën me të”, deklaron Paloka.

“Unë nuk e kam bërë këtë autokritikë që ka kërkuar shoku Enkelejd Alibeaj, ndaj gjykoj që komisioni i dëbim internimeve që ka ngritur ai në mendjen e tij paska vendosur të marrë këtë hap totalisht qesharak. Në vend që sot të të ishim  emisione dhe të flitej për faktin që e dërguam në SPAK Veliajn, vijmë për shkak të kësaj manovre të Alibeaj, që vetëm opozitarizmit nuk i shërben”, deklaron Këliçi.

Këlliçi deklaron se bëhet fjalë për vendimin e një individi që erdhi në PD si i persekutuar dhe po bën atë që ka bërë partia e punës 45 vite. Ndërsa Paloka thekson se me këto veprime, Alibeaj ia ka kaluar edhe grupit të deputeteve që erdhën në parlament pas djegies së mandateve.

Ferdinand Xhaferaj, i cili nuk është deklaruar si mbështetës i Berishës, shprehet se vendimi për përjashtimin e 4 deputetëve është një maskarade.

“Jam informuar në media, kjo tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje, unë jam marrë dhe do vazhdojë të merrem me qeverinë, ka dhe kolegë të tjerë brenda opozitës. Asnjëherë nuk kam votuar për përjashtim kolegësh”, tha ai.

Këtë të martë Enkelejd Alibeaj përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-se deputetet Oerd Bylykbashi, Belind Klliçi, Tritan Shehu, dhe Agron Shehaj, për mosdistancim nga ngjarjet e 8 janarit të një viti më parë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb