Ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu i ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço ka akuzuar liderin e PD Lulzim Basha se po kërkon të fshijë kujtesën politike. Ai tha se sot në Kryesi dhe në parlament janë persona që nuk njohën ndërkohë që demokratët që u dhunuan nga pushteti u larguan befas.

“Partitë politike nuk janë momentale. Çdo vendim që kjo parti merr futet në atë që quhet kujtesa politike. Nëse kujtesën politike kërkon ta fshijë ky kryetar është krimi më i madh që mund t’i bësh. Ne kemi pasur këto vite opozitë shumë të vështirë. Me protesta ku u janë hedhur gaz lotsjellës grave dhe fëmijëve. Është një gjë të bësh opozitë pa imunitetin e deputetit dhe gjë tjetër të jesh deputet. Më kujtohet që kur jam arrestuar unë nuk shikoja të shkruara në mure datat e protestave të opozitës. Në ato dhoma kishin qenë të tjerë që protestonin me Bashën. Ne që u dhunuam, demokratët që u dhunuar befas zhduken dhe katapultohen njerëz që nuk njohën dhe sot kanë në kryesi. Ne kemi sekretarë që nuk ua njoh emrat. Është zonja Godole që nuk ka qenë asnjëherë në strukturë. Fshirja e kujtesës politike fshin meritokracinë. në parlament kemi deputetët që mbajtën mandatet kur ne i dogjëm”- tha Balliu.

Ai e ka konsideruar një tradhëti vendimin për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga Grupi Parlamentar i PD. Ai tha se ky vendim nuk është në kalibrin e Bashës.

“Kur Fatos Nano kishte 3 vendime gjykate socialistët e ndershëm nuk e larguan, nuk i thanë ik. Vendimi i Bashës është tradhti absolute. Kur ky vendim doli ishte Basha i cili tha se këto janë akuza të ngritura në bazë të shpifjeve. Ke marrë një vendin, por e ke marrë në përputhje me statutin? Jo!. Nuk mund të marrës asnjë vendim. Partia është në shesh, Basha nuk është aty. Partia nuk është kryetari dhe deputetët, por anëtarësia. Ky vendim nuk është në kalibrin e Bashës. Nëse Basha ka thënë që po kërkohet të mblidhet një kongres antiamerikan atëherë është një turp dhe duhet të kërkojë falje. Jam i shqetësuar dhe i mërzitur që Basha nuk po i kthehet natyrës së politikanit të tij perëndimor. Mënyra autoritare që po i merr vendimet nuk funksionon në PD.   Nuk e kuptoj sulmin ndaj foltores së Berishës. Basha të na i tregojë se çfarë provash ka parë.  Nuk mund të ketë Lulzim Basha alergji nga vota. Nuk i shkon figurës së tij. Nëse largojmë kujtesën politike dhe Berishën na mbeten humbjet. Rama do shkatërrimin e PD”- tha ai.

Lidhur me takimet e ish-kryeministrit Balliu tha se po i japin energji dhe frymëzim të ri opozitës. Ai tha se në këtë foltore duhet të vijë edhe kryedemokrati Basha.

“Takimi me strukturat e PD i jep një frymëzim  dhe energji të re opozitës. Dhe në momentin e fundit të këtyre takimeve do të jetë koha për të dalë përballë me Ramën, një përballje e fortë dhe e ashpër ku do të fitojnë qytetarët. PD dhe lidershipi duhet të kuptojnë që kanë bërë gabim. Kryesia aktuale sot nuk e reflekton kujtesën politike dhe meritokracinë. Ne ndodhemi në një situatë kritike dhe në këtë foltore duhet të vijë çdo qytetar.  Edhe vetë Basha mund të ishte pjesë e kësaj foltore”- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb