Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu, i ftuar në rubrikën “Opinion” “News 24”, komentoi vendimet e fundit të ndërmarra nga Kryesia e PD, për të përjashtuar përfundimisht nga partia ish-kryeministrin Sali Berisha. Shehu tha se vendimet e ndërmarra janë ana tjetër e medaljes së atyre vendimeve që u morën në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Sipas tij, situata nuk duhej të degradohej deri në këtë pikë, por palët të gjenin gjuhën e përbashkët. Koha sipas Shehut është treguesi më i mirë i asaj që do të ndodhë në të ardhmen, ndërsa nënvizoi se ka bindjen se të gjithë demokratët do të bëhen sërish bashkë.

Sali Shehu: Kryesia e FRD, bashkë me kolegjin e kryetarëve, pas 8 janarit, u mblodh dhe u konsultua për të bërë një deklaratë ku dënohej ashpër dhuna. Një aspekt i padëgjuar i dhunës që në Shqipëri rëndomtë ndodh. Madje, nuk mund të them që Shqipëria është vend i çudirave, por ka raste ku dhuna kualifikohet si gjë e çuditshme për shkak se s’ka objekt. Në Kazakistan, shumica është ngritur kundër qeverisë sepse është ngritur çmimi i naftës. Ne bëmë një deklaratë të drejtë.

Nuk duhet të ushqehet brezi i ri me këtë frymë. Po ashtu donim t’i thonim autorëve që nuk është kjo rruga që duhet ndjekur. Nuk sulmohet shtëpia jote, duhet gjetur gjuha dhe nga zona që unë vij gjuha gjendet nga ai që është më i madh.

Çfarë gjuhe duhej gjendur?

Sali Shehu: Unë kam paralajmëruar se nëse ata nuk do të gjenin gjuhën situata do të precipitonte në këtë pikë. Shqipëria po pret të jetë anëtare e BE, shqiptarët presin që të gjitha partitë të shpjegojmë se përse ndodhi rezultati i zgjedhjeve të prillit. Opozita ka fituar zgjedhjet.

Skandalet e fundit e konfirmojnë atë që them unë. 60 mijë janë të punësuar në muajin prill. Sa të tjera janë që nuk janë ekspozuar, por e dinë që kanë ndodhur. Këtë duhet të thotë Berisha e Basha. Të gjithë kryetarët e partive të djathta. Jam i trishtuar që ka sot demokratë që janë nëpër burgje. Kush interesohet për ta? Unë e kam kaluar këtë sfidë brenda PD. Ne duhet të mblidhemi e t’u themi njerëzve të vërtetën. Opozita ka fituar zgjedhjet.

Beteja është me qeverinë dhe popullin për t’ia thënë që ne kemi ftuar zgjedhjet. Pse nuk e transferojnë këta debatin në publik se përse ndodhi kjo gjë? Unë kam qenë një nga kandidatë e PD. Një ndër 8 qytetarët që kam takuar, 6 kanë qenë kundër qeverisë. Koha e tregoi. Unë besoj se kemi bërë mirë që kemi dënuar dhunën. Palët kanë shkuar në ekstremitete të pa imagjinueshme. Ndoshta kanë idenë që ta ndajnë partinë në dy pjesë, por kjo do të jetë e rëndë. Palët ngrihen dhe pushojnë njëra-tjetrën. Unë si kryetar i FRD, i bëj thirrje partive të djathta që të jenë pjesë e studiove dhe të flasin me zë të lartë.

PD po shkëputet nga e shkuara apo kjo është një luftë brenda llojit?

Sali Shehu: Ka tendenca për shkëputjen nga e shkuara dhe kjo është gjë e mirë. Kjo është një thirrje për të gjithë ata që të kuptojnë se e shkuara e kishte rrugën deri këtu, e ardhmja është e fëmijëve tanë. Politikan i mirë është ai që flet për arsim më të mirë, qeverisje më të mirë, rrugë më të mira. Si do të flasim për qeverisje kur nuk e kritikojmë dot atë. Ne duhet të flasim ashpër, drejt, e t’i themi gjërat siç janë. Të kishin në shesh të gjithë ata që kanë votuar kundra Bashës mund të ishte mesazh i madh. Por nuk i imponon njerëzit me 2 mijë veta. Edhe unë kam partinë time. Nuk kam përfituar asgjë nga PD, madje kam bërë burg. Unë e dënoj dhunën sepse kam qenë zyrtar i lartë në ’97-ën. I thash stop dhunës! Unë e respektoj Sali Berishën për moshën, staturën që ka mbajtur. Por Sali Berishës, PD, që është institucion i rëndësishëm, i ka dhënë presidentin e Shqipërisë 2 herë, kryeministrin 2 herë, i ka dhënë 30 vite kryetarin e PD. Unë kam qenë kundër shpalljes ‘non grata’. Ne nuk diktojmë vendimet e qeverisë amerikane. Ne jemi borxhli në jetë të jetëve shtetit amerikan, kombit amerikan, për një qëndrim të pa imagjinueshëm të fortë në raport me Kosovën. Mund të na godasë një ditë, nuk duhet ta kundërshtojmë çdo vendimmarrje që vjen sidomos nga SHBA. Sot vendi jonë është i pa banueshëm se shumica e të rinjve janë gati të ikin nga shteti. Nuk i kemi dhënë shanse ekonomisë të zhvillohet.

Berisha ka thënë se kërkon të rithemelojë PD, për këtë arsye ka nisur dhe këtë aksion politik?

Sali Shehu: Këto ngjarje kanë ndodhur ditët e sotme. Janë të nxehta akoma. Spuntoja e të gjithë këtyre zhvillimeve ka ndodhur pasi Berisha është shpallur non grata. Unë po të isha në vend të Berishës do të pranoja të isha një deputet i Kuvendit dhe të ftoj popullin që të bashkohet me PD. Do të bëja betejën me gjykatën për t’i dalë në fund të imazhit të vet dhe familjes së tij. Të gjithë ata që ishin para selisë janë me PD. Në fund të fundit do të mblidhen në selinë e PD dhe do e diskutojnë se përse ndodhi kjo gjë. Janë drejtues të PD. Ka njerëz që kanë dhënë jetën atje, e ata duhet t’i mirëkuptojmë. Siç duhet të mirëkuptojmë dhe të arrestuarit. E mirëkuptoj deklaratën e Bashës që PD do t’ia dalë. Nëse do të kristalizohet në 2 parti, për të çuar inatin aty ku nuk e rrok mendja njerëzore, atëherë t’ia lemë kohës. Besoj që ajo që ndodhi është ana tjetër e medaljes që ndodhi në Air Albania. Me kë do ta rithemelojë Berisha PD? Me ato që na ka sjellë në listë? Kjo nuk thotë të gjitha të vërtetat.

Si e parashikoni vijimësinë?

Sali Shehu: Vijimësia nuk është as e qartë e as një gjë e mirë. Nuk jep shanse për produkt pozitiv. Unë mendoj që koha bën të sajën dhe gjithmonë njerëzit kur kanë vullnet bëjnë gjëra të mira dhe e kanë në dorë për ta bërë këtë. Nëse s’kanë vullnet, asnjë palë nuk del e fituar. Asnjë të mos dalë me atë çekiçin e madh e të thotë se kam popullin me vete. Verdiktin e verifikon votimi popullor. Partitë në Shqipëri s’janë elektorale. Berisha dhe Nano kanë bërë shumë replika me njëri-tjetrin, e në fund u mblodhën e thanë që i kemi bërë për shaka politike. Nëse do të ishte kjo, do të ishte gjë e mirë për PD. Të flasin të gjithë intelektualët në PD, e të tregojnë se kush ishin arsyet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb