Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, iu bëri thirrje gazetarëve, që të marrin pjesë sot në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, për të diskutuar mbi vendimin për përjashtimin e tyre nga komisionet parlamentare.

Balla deklaroi se nuk ka pasur asnjë qëllim negativ nga Kuvendi për këtë vendim, ndërsa shtoi se ka qenë përpjekja për të përafruar me eksperiencat më të mira të parlamenteve evropiane. Sipas numrit dy të PS, do të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për të gjithë.

“Sot ju keni një takim me Sekretarin e Përgjithshëm. Dua t’iu sqaroj se nuk ka pasur asnjë qëllim negativ nga ana jonë, e Kuvendit. Gjithmonë ka pasur një përpjekje për të përafruar me eksperiencat më të mira të parlamenteve evropiane, mundësinë që brenda atyre sallave të vogla të komisioneve, që të paktën mbulimi filmik me pamje e zë të jetë sipas standardeve më të mira. Prandaj, unë do të sugjeroja që të vazhdoni këtë dialog dhe të gjejmë një zgjidhje, që ruan një standard që e ka çdo parlament tjetër. Unë kam parë në PE, në Bundestag, që ka një vend të caktuar për gazetarët, që ndjekin e marrin gjithë informacionin, edhe ne duhet ta rrisim kapacitetin që gazetarët të marrin informacione. Një gjë është e sigurt që transparenca e vendimmarrjes nuk do të mungojë kurrë. Mendoj se do të gjendet një zgjidhje që do t’i kënaqë të gjithë”, tha Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb