Gjashtë deputetët e përjashtuar me vendim të sekretariatit për procedurat, votimet dhe Etikën i janë drejtuar me një letër Byrosë së Kuvendit, teksa e quajnë vendimin antikushtetuese dhe një akt të rëndë ndaj parlamentarizmit në Shqipëri.

Në letrën e tyre të ankimimit thuhet se Vendimi i përjashtimit ndaj 6 deputetëve u mor më 21 shkurt, por hyn në fuqi të nesërmen, ndërkohë që seanca është zhvilluar në datë 16 shkurt. Sipas tyre, kjo bëhet me qëllimin e vetëm që të pengohen deputetet nga pjesëmarrja në më shumë se një seancë parlamentare si dhe në komisioni.

Po kështu, deputetët Sorina Koti, Elda Hoti, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi deklarojnë se vendimi nr.39 i 21 shkurtit shkel nenin 70/1, 79/1, 73/1 të Kushtetutës.

Gjithashtu ky vendim, theksojnë ata është marrë në shkelje të neni 65/2 pika 2 të Rregullores së Kuvendit, në mungesë totale transparence, pa prezencën e deputetëve akuzues që kishin nënshkruar kërkesën për përjashtim, si dhe në mungesë të provave, fakteve apo indicieve.

“Për sa i përket provave dhe fakteve nga ana jonë, ato gjenden në të gjitha mediat kombëtare e lokale, në RTSH Kuvend, si dhe në rrjetin zyrtar social të Kuvendit të Shqipërisë. Pamjet filmike, si dhe publikimi në të gjitha mediat shqiptare, evidentojnë shkeljen e përsëritur të të drejtave të deputetëve të Partisë Demokratike, të sanksionuara në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit, nga ana e drejtueses së seancës Ermonela Felaj”, shprehen 6 deputetët e PD.

Ata deklarojnë se kanë qenë në kërkim të të drejtave të tyre procedurale, të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, që janë shkelur e penguar në mënyrë të vazhdueshme e të përsëritur në të gjitha seancat e fundit plenare nga organet drejtuese të Kuvendit.

Përdorimi i masave ekstreme disiplinore në grup, në mënyrë të vazhdueshme e joproporcionale, është bërë qëllimisht për të ndikuar në aftësitë e opozitës për të ushtruar të drejtat kushtetuese të saj në seancë plenare dhe komisione.

Për sa më sipër, vendimi i 21 shkurtit i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën është një akt ankushtetuese, antiligjor; është një goditje e rëndë për parlamentarizmin në Shqipëri.

Ndaj, bazuar në nenet 65/3, 65/4 e vijues të Rregullores së Kuvendit, nga Byroja e Kuvendit, kërkohet shfuqizimi i menjëhershëm i tij.

Neni 65/3, pika 4 e Rregullores së Kuvendit përcakton: “Me paraqitjen e ankimit…vendimi i Sekretariatit pezullohet deri në marrjen e vendimit nga Byroja e Kuvendit”.

Kryetarja e Kuvendit, në zbatim të Nenit 76/1 të Kushtetutës së Shqipërisë, neni 7/1 dhe 7/2, nenit 65/3 të Rregullores së Kuvendit, të marrë të gjitha masat e duhura për respektimin e të drejtave të deputetëve dhe mospengimin e tyre në seancat e komisioneve parlamentare si dhe në seancën pllenare, përfshirë nga Shërbimet e Sigurisë së Kuvendit (Garda e Republikës së Shqipërisë).

Deputetët firmëtarë

Sorina Koti

Elda Hoti

Greta Bardeli

Lindita Metaliaj

Edmond Spaho

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb