*Doshi: Për vrasjen time te planifikuar kam folur me kryeprokurorin e deri Senatin Amerikan-
*Doshi: Disponoj prova, kam video. Vrasësi është takuar me Tahirin-

*Doshi: Jam në gjendje sa me kriju dhe një parti të re, i dal Ramës me 60 kandidatë në tan Shqipërinë-
*Ben Blushi: Rama duhet ta kishte administruar me mire. Humbi PS
*Kunder shkarkimit kane votuar Ben Blushi dhe Koco Kokedhima

TIRANE –Deputeti Tom Doshi u përjashtua sot nga Partia Socialiste, vendim ky që erdhi pak ditë pasi ai shpërtheu në kritika ndaj kryeministrit Edi Rama.

As 30 minuta pasi u fut në selinë rozë, Doshi doli duke bërë me dije se u përjashtua nga grupi i PS, por u shpreh se nuk priti votimin për t’a mësuar këtë. Ai hodhi akuza të rënda në adresë të zotit Ilir Meta, aleatit në qeverisje me Ramën. Deputeti Tom Doshi deklaroi se Ilir Meta ka paguar njerëz që ta vrasin atë dhe deputetin demokrat, Mëhill Fufi.

Ndërkohë që brenda mbledhjes së grupit të PS ka qenë kryeministri Edi Rama që i ka kërkuar grupit parlamentar të votojë për shkarkimin e Tom Doshit nga grupi parlamentar i PS. “Bashkëjetesa ne grup me Tom Doshin është e pamundur” mësohet të ketë thënë Rama ndërkohë që ka kërkuar votimin e grupit parlamentar.

Intervista e Doshit

Cfarë doli nga votimi, u përjashtuat?
Nuk prita votimin, por dihej se kur vendos kryetari ata të tjerët nuk kanë faj.

A u mbrojtët?
Po ia bana të qartë se kush është pas tij dhe për ca e bën ai këtë punë

Kush është pas tij?
Edi Rama ka një tutor që quhet Ilir Meta që ka paguar lekë dhe paguat lekë më më vra mu dhe Mhill Fufin. Kam 5 muaj që ua kam bërë të qartë Edi Ramës, vetë Ilir Metës, Kryeprokurorit të Përgjithshëm, atij të Krimeve të Rënda, kam lajmëruar senatin amerikan.

Cfarë provash keni?
Prova është se, personi që ka marrë përsipër me kry këtë akt është takuar dhe me ministrin Tahiri

Dispononi video?
Po patjetër

Cila do të jetë e ardhmja juaj tani që nuk jeni në PS?
Nuk dal prej politikës, nuk shkoj në asnjë parti tjetër, jam në gjendje sa me kriju dhe një parti të re dhe do t’i dal me 60 kandidatë në tan Shqipërinë.

Rreth orës 14:25 minuta, kryeministri Edi Rama doli nga mbledhja e grupit të PS dhe nuk komentoi vendimin e përjashtimit të Doshit. Po kështu asnjë nga deputetet që dolën pas tij nuk e komentuan mbledhjen përvec, Ben Blushit.

Ja si u shpreh Ben Blushi:
Është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që nuk duan të marrin vesh, historia shumëvjeçare e dy miqve që u prish për arsye që nuk i dimë, arsye që nuk duan t’i thonë dhe as qe duam t’i marrim vesh.
Rama duhet ta administronte këtë cështje prej shumë kohësh, duhet të qeveriste më mirë, ka padyshim përgjegjësi të vetën, por jam dakord që bashkëjetesa në këto kushte ishte e pamundur.
Në lidhje me këtë situatë humbet PS?
Sigurisht që po

DOSHI PARA MBLEDHJES: NUK JAM I SHQETESUAR
Foto nga Hamza Hatika, qendra mediatike, ‘Kurajo’
IMG_3284

Në orën 13:00 të ditës së sotme, deputetët socialistë u mblodhën në selinë rozë për të diskutuar, në prani dhe të Kryeministrit Rama rreth deklaratave të Doshit, përmes të cilave ka kërcënuar Kryeministrin se nëse flet ato që di, do trondisë themelet e qeverisë.
Ka qenë ora 13:18 minuta kur deputeti Tom Doshi mbërriti në selinë e PS, në mbledhjen e grupit që nisi në orën 13:00.
Zoti Doshi, jeni i shqetësuar?
Doshi: Pse jam i shqetësum?! Nuk jam aspak!
Po sepse do diskutohet për ju sot..
Doshi: Nuk ka asnjë problem

I pari që mbërriti në selinë e Partisë Socialiste ishte Gramoz Ruci, dhe 5 minuta pas tij, në orën 12:35 minuta dhe vetë kryeministri Edi Rama.
Pas tyre, deputetë të PS hynë një e nga një në selinë rozë ku pritet të diskutohet fati i kolegut të tyre socialist, Doshi.
I pyetur nga mediat, Koço Kokëdhima u shpreh se; ‘nuk bëhet fjalë për prerje kokash e përjashtime. Diskutimet i bëjmë në mënyrë shoqërore”. Pyetjes se cili është qëndrimi i tij, Kokëdhima tha se, “Qëndrimet e mia shkojnë në frymën e grupit”.

Pyetjes së medias, për mbledhjen, Rama nuk ka preferuar t’i përgjigjet.
Ndërkohe që deputeti Erjon Brace duke parë interesimin e madh te gazetareve të pranishëm u shpreh; “Paskeni ardhur të gjithë këtu? Po sikur të mos ndodhë gjë cdo bëni?”.
Deputeti socialist Armando Subashi nuk e ka kursyer ironinë lidhur me situatën. “Kemi tre ditë që shohim filxhan”­ tha ai.
Ndërkohë Ben Blushi, Paulin Stërkaj, Artan Gaçi thanë shkurt se; “do të flasim pas mbledhjes’. I vetmi qe komentoi pas mbledhjes ishte vetem ben Blushi.
Tahiri duke hyre sot ne seli, foto nga Hamza Hatika, qendra mediatike, ‘Kurajo’
IMG_3234

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: