TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është përjashtuar nga seanca plenare e ditës së sotme pas sherrit me deputetin socialist Erion Braçe. Mes tyre pati një konflikt pasi Braçe tha fjalë fyese në drejtim të ish-kryeministrit, Sali Berisha. Noka iu afrua dhe i hodhi me forcë librin e rregullores së Kuvendit Braçes.

Duke u nisur nga ky episod i pakëndshëm, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj ka lexuar rregulloren ku përcaktohet në cilat raste duhet të përjashtohet një deputet nga seanca dhe i ka kërkuar Nokës të lërë sallën pasi është përjashtuar.

Por kjo gjë nuk është pritur mirë nga opozita. Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka pranuar që Noka të lërë seancën por me kushtin që të përjashtohen edhe deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Taulant Balla.

Leskaj: Ju lutem zoti Noka, respektoni rregulloren, lini sallën për ditën e sotme. Nëse nuk zbatohet pastaj, kalojmë në kushtet e pikës 2 të nenit 65 (nxjerrjen me forcë nga Garda). Zoti Noka respektoni rregulloren.
Paloka: Shumë mirë e lexuat nenin e rregullores dhe ju kërkoj ta zbatoni pikë për pikë. Ju ftoj të përjashtoni z. Braçe dhe z. Balla që kanë folur gjatë gjithë kohës jo vetëm për folësin por edhe për deputetët e tjerë.

Leskaj: E keni me zë dhe figurë shkeljen e rregullores nga deputeti Noka. Nëse keni të evidentuar siç është rasti silleni kërkesën ta shqyrtojmë. Unë kërkoj që të zbatohet rregullorja e parlamentit.
Paloka: Zonja drejtuese e seancës, mos u bëni më qesharake se sa është bërë ky parlament. Ju e keni parë Flamur Nokën në televizor ndaj po e përjashtoni.
Leskaj: E pashë live. 5 minuta pushim ndërpritet seanca.

Të dyja palët akuzojnë njera-tjetrën për nxitje të konfliktit dhe të dyja kërkuan përjashtimin e deputetëve të forcës kundërshtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: