KOSOVË- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë e mbajtur në Drenas të Kosovës për dy heronjtë e UÇK-së Fehmi Lladrovci e Xhevë Krasniqi Lladrovci.

Në 20 vjetorin e rënies është mbajtur një manifestim përkujtimor ku janë zbuluar edhe dy shtatoret në bronz të çiftit që dha jetën për lirinë e Kosovës.

Me fjalën e tij para të pranishmëve Kreu i Shtetit vlerësoi lart dy heronjtë dhe tha se trashëgimia e tyre është Kosova e lirë, e pavarur dhe Kosova Europiane.

“Trashëgimia më e madhe që lanë Xhevë Lladrovci, Fehmi Lladrovci, Jasharajt është Kosova e lirë dhe Kosova e pavarur, Kosova europiane dhe në NATO. Kosova ka mjaft sfida të cilat bsojmë se do i kalojë me sukses që nga liberalizimi i vizave. Që nga ecja përpara e proceseve integruese në BE dhe padyshim sa i takon anëtarësimit të saj në NATO. Nuk duhet të harrojmë që veprat e këtyre heronjve e sollën NATO-n në Kosovë”, deklaroi Meta.

Presidenti theksoi se vlera e këtyre dy monumenteve madhështore që vendosen sot këtu nuk është në nderim vetëm të Fehmi dhe Xhevë Lladrovit por në mënyrë të veçantë që secili që kalon para këtyre monumenteve jo vetëm të përkulet me nderim por mos të harrojë amanetin e tyre.

“Liria e pavarësia nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë ashtu siç kemi përpara një rrugë që Shqipërisë e Kosovës t’i japim më shumë paqe, liri e begati. Besoj se mesazhi që kanë lënë pas me sakrificën më sublime do na bashkojë të gjithë për të punuar për të mirën e Shqipërisë e Kosovës.
Lavdi të përjetshme Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqi Lladrovic!”, përfundoi Presidenti Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb