Shqipëria ka zbritur në renditjen globale të lirisë së medias, duke u renditur në vendin e 84 nga 180 shtete të botës.

Në lidhje me këtë përkeqësim të renditjes, kanë folur analistët Arion Sulo e Arjan Vasjari.

Sulo në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Real Story” në “Neës 24” deklaroi se përkeqësimi i lirisë së medias, ka ndodhur në këtë kohë pandemie, edhe për shkak se tani kanë folur vetëm politikanët e pak dëgjohen gazetarët.

“Nëse flasim për liri të medias, mund të themi se në radhë të parë kemi disa problematika të tjera në këto kohë. Por nëse flasimm për raportin për lirinë e medias, duhet thënë se vjen në një kohë pandemie, kur fliste vetëm kryeministri e ministrja. Ishte një tmerr, sepse flisnin vetëm politikanët në këtë kohë.

Nëse flasim për Trump, edhe ai ka kundërshtarë edhe në mesin e medias. Ka humbur raportimi i saktë. Nëse kemi vetëm dy sulme, të vërtetën nuk kemi për ta marrë vesh. Polarizimi po ndodh edhe jashtë, edhe në Shqipëri. Duke thënë “mos lexoni media”, media është vënë në dyshim dhe në urrejtje”, tha Sulo.

Ndërsa, analisti Arjan Vasjari u shpreh se problematika e lirisë së medias në Shqipëri ka 30 vjet që ndodh e se duhet bërë më shumë për liri mediatike.

Raportet problematike të medias me politikën kanë qenë raporte në 30 vjet të demokracisë sonë. Janë raporte që kanë pasur pika krize, që nuk janë tjetër gjë, përpos se reflektim i një kulture që nuk është ende demokratike në klasën tonë politike. Liria e medias në vend është problematike, edhe nga raportet ndërkombëtare.

Unë besoj se problemi më i madh në demokraci është maxhoranca dhe qeveria, por edhe media duhet ta lexojë me kujdes raportin e saj me politikën. Kjo sepse edhe liria e shprehjes paraqet masë. Është sinergji që duhet bashkëvepruar nga të dyja palët”, u shpreh Vasjari.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb