Kina ka pezulluar një forum dialogu dypalësh ekonomik me Australinë, çka sinjalizon një përkeqësim të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Në një deklaratë të enjten, Komisioni Kombëtar kinez për Zhvillim dhe Reformë njoftoi se kishte “pezulluar” për një periudhë të pacaktuar Forumin e Dialogut Ekonomik e Strategjik Kinë-Australi. Në deklaratë përmendeshin si arsye për këtë vendim ato që u quajtën masa të Australisë për “prishjen e shkëmbimeve normale” për shkak të një “mendësie të kohës së Luftës së Ftohtë dhe diskriminimi ideologjik”.

Dy vendet e krijuan forumin në vitin 2014 me synimin për të diskutuar mosmarrëveshjet tregtare e çështje të tjera ekonomike. Por vëzhguesit thonë se pezullimi është kryesisht një akt simbolik, pasi palët nuk kanë zhvilluar bisedime zyrtare që nga viti 2017.

Ministri australian i Tregtisë Dan Tehan e quajti vendimin e Pekinit “zhgënjyes” dhe tha se vendi i tij mbetet i hapur për dialog dhe “angazhim në nivel ministror”.

Tensionet mes Australisë dhe Kinës nisën në 2018, kur Australia ndaloi gjigandin kinez të telekomunikacionit Huaëei të ishte pjesë e rrjetit të saj 5G. Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej për shkak të nxitjes që Australia i bëri një hetimi të pavarur mbi origjinën e pandemisë së koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në fund të vitit 2019, në qytetin kinez të Ëuhanit.

Pekini reagoi duke vendosur tarifa të ashpra ndaj elbit australian dhe pezulloi importet e mishit nga ky vend. Gjithashtu autoritetet kineze këshilluan qytetarët dhe studentët e vendit të tyre të rishikonin vendimet për të udhëtuar për turizëm apo për t’u arsimuar në Australi për shkak të asaj që ata e quajtën, diskriminim racor.

Muajin e kaluar Australia anuloi dy marrëveshje që shteti i Viktorias nënshkroi me Kinën lidhur me iniciativën infrastrukturore shumëkombëshe disa miliarda dollarëshë, Një rrugë një brez, duke shkaktuar paralajmërime për hakmarrje nga Pekini.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb