Moska ka njoftuar se do të dëbojë një diplomat moldav dhe do t’ua ndalojë hyrjen disa zyrtarëve moldavë, si shenjë hakmarrjeje pasi Kishinau e shpalli një punëtor të Ambasadës ruse persona non-grata.

Ministria e Jashtme ruse tha më 25 prill se i ka dorëzuar notë proteste ambasadores moldave, Lilian Darii, “për hapat e vazhdueshëm armiqësor të Moldavisë ndaj Rusisë dhe deklaratat e rregullta anti-ruse”, si dhe për rreshtimin krah Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Moskës për luftën në Ukrainë.

Javën e kaluar, Moldavia dëboi një punonjës të ambasadës ruse. Marrëdhëniet midis Kishinaut dhe Moskës janë përkeqësuar që nga nisja e luftës në Ukrainë, e cila ka ngritur frikën se shteti i vogël i vendosur midis Ukrainës dhe Rumanisë mund të jetë objektivi i ardhshëm i Rusisë.

Emrat e diplomatit të dëbuar dhe zyrtarëve moldavë të cilëve u është ndaluar hyrja në Rusi nuk janë publikuar. Por, gazeta ruse Kommersant raportoi se Moska dëboi konsullin e Moldavisë dhe ua ndaloi hyrjen e ministres së Brendshme, Ana Revenco, dhe tre ligjvënësve të partisë në pushtet: Oazu Nantoi, Olesea Stamate dhe Lilian Carp. Shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, që kur Moska nisi pushtimin e Kievit më 24 shkurt 2022. Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: