Vijon të përkeqësohet situata në dy spitalet Covid, përkatësisht në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi”, ku po trajtohen pacientët e infektuar me koronavirus.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë, 20 në terapi intensive dhe 7 pacientë janë të intubuar”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 68 raste pozitive, si dhe kanë ndërruar jetë 3 pacientë, ku sipas MSH, njëri prej tyre nuk ka pas asnjë sëmundje shoqëruese.

“Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 3 qytetarë: Një 57 vjeçare dhe një 80 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, dhe një 62 vjeçar nga Fieri pa sëmundje të tjera”, raporton ministria.

Koronavirusi po merr një përhapje të gjerë në vendin tonë, ku thuajse të gjithë qytetet kanë raste infektimi.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 10 në Krujë, 5 në Durrës, 3 në Shkodër, nga 2 raste në Dibër, Shijak, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Elbasan Kukës, Lezhë, Vlorë, Tropojë, Kamëz, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Prrenjas, Klos”, thekson MSH.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb