Sot në Kosovë dhe mbarë trojet shqiptare përkujtohet 23-vjetori i rënies së familjes Jashari në Kosovë që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre ndaj Serbisë, ose ajo që më 5 mars të 1998 u cilësua si Masakra e Prekazit.

55 persona u vranë 23 vite më parë, teksa kreu i PD, Lulzim Basha në një mesazh nga Facebook shkruan se Jasharët i treguan botës mbarë se atdhedashura është e pamposhtur pavarësisht barbarisë së agresorit.

Nga ana tjetër ai shkruan se shqiptarët kanë akoma rrugë për të bërë deri në përmbushjen e amanetit të heronjve tanë teksa thotë se sakrificat e martirëve janë themel i fortë për të ndërtuar të ardhmen europiane.

STATUSI NGA LULZIM BASHA
Dashuria për atdheun mund të shembë kalatë më të forta dhe mund t’i qëndrojë sulmeve më barbare. Kjo e vërtetë e madhe mishëron atë që Adem Jashari dhe familja Jashari bëri për atdheun, Kosovën dhe kombin shqiptar.
Jasharët i treguan botës mbarë se atdhedashuria është e pamposhtshme pavarësisht barbarisë së agresorit. Burra, gra e femijë ranë heroikisht duke vënë gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur!
Sot nderojmë epopenë e lavdishme të UÇK-së, të vetëdijshëm se kemi akoma rrugë për të bërë deri në përmbushjen e amanetit të heronjve tanë. Jam i sigurt se sakrificat e martirëve tanë në të dy anët e kufirit janë themel i fortë mbi të cilin do të ndërtojmë të sotmen e të nesërmen, me dinjitetin dhe përkatësinë tonë europiane.
Mbarë kombi ynë përulet sot me nderim përpara sakrificës sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb