Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përkujtuar viktimat e Holokaustit, ku Gjermania naziste ekzekutoi rreth 6 milionë hebrenj.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta ka shkruar se ndihet krenar për popullin tonë, që në periudhën më të errët të njerëzimit, Shqipëria ka mirëpritur dhe mbrojtur mijëra hebrenj, duke mos dorëzuar asnjë te pushtuesit.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, përkujtojmë me nderim miliona viktima të pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, në mënyrë që antisemitizmi, mungesa e tolerancës dhe bashkëjetesës, si dhe dhunimi i lirive e të drejtave të njeriut, të mos përsëriten kurrë më.

Krenar për popullin tonë, që në periudhën më të errët të njerëzimit, mirëpriti dhe mbrojti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke mos dorëzuar asnjë te pushtuesit, përkundrazi numri i tyre gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore u rrit disa herë më shumë nga ç’ishte para fillimit të saj”, ka shkruar Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb