Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nderoi sot dëshmorët e Policisë së Shtetit me rastin e 5 majit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Akademinë e Sigurisë u inagurua edhe memoriali për të rënët në krye të detyrës. Gjatë fjalës së tij ministri vlerësoi sakrificën dhe shembullin e fortë të rezistencës së atyre që humbën jetën në përpjekje për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

“Vetëm fizikisht nuk janë mes nesh, por për aq shumë sa kanë dhënë e kanë bërë për të mbrojtur ligjin e garantuar sigurinë publike edhe me jetën e tyre, ata kanë për të qenë përherë në mendjet dhe zemrat e kolegëve dhe të familjeve që krenohen kaq shumë me kontributin e tyre të jashtëzakonshëm”, tha ministri Çuçi,

Më tej ai foli për ligjin e posacëm të miratuar në fund të vitit të shkuar për statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, nga i cili përfitojnë edhe fëmijët dhe familjet e dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

“Ky ligj siguron vijimësisht mbështetjen e domosdoshme morale dhe financiare për fëmijët e atyre që kanë sakrifikuar edhe jetën në detyra shtetërore. Barra është e jona që fëmijët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit të mos ndihen asnjëherë vetëm dhe kujdestarët e tyre, nënat në të shumtën e rasteve, të kenë gjithmonë pranë dorën e shtrirë të shtetit dhe solidaritetin tonë si shoqëri. Njësoj siç ndihen krenarë për prindërit e tyre që kanë kontribuar dhe sakrifikuar jetën në shërbim të shtetit e Atdheut, fëmijët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit meritojnë gjithashtu të ndihen të sigurt për t’u rritur e shkolluar”, tha ministri Çuçi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në vijim të fjalës së mbajtur me këtë rast, Çuçi vlerësoi punën e punonjësve të Policisë së Shtetit.

“Garantimi i jetës së qytetarëve, pronës së tyre, i rendit dhe i sigurisë publike është një punë e vështirë, një mision që jo të gjithë janë të gatshëm të sakrifikojnë kaq shumë për ta përmbushur. Kush shërben në Policinë e Shtetit vërtet po i bën një shërbim të jashtëzakonshëm vendit, një punë për të cilën duhet të jeni krenarë ju dhe familja juaj. Ne si shoqëri ju jemi mirënjohës dhe çmojmë shumë të gjitha vështirësitë me të cilat përballeni në betejën e vazhdueshme me krimin dhe paligjshmërinë”, tha Çuçi.

“Nderimet më të larta për dëshmorët e Policisë së Shtetit, me bindjen se përtej plagëve të pangushëllueshme që hapin shpirtin e familjeve të tyre, emri dhe vepra që kanë lënë pas do të jetë e përjetshme”, u shpreh Ministri i Brendshëm.

Ditën e sotme do të kryhet gjithashtu varimi në Varrezat e Dëshmorëve i punonjësve të Policisë së Shtetit, Artan Cukun, Elham Elezajn dhe Rufan Hakramën, të cilët kanë rënë gjithashtu në krye të detyrës në kohë të ndryshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb