TIRANE – Në 17-vjetorin e vdekjes së “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari, Partia Demokratike, anëtarët e saj, militantët dhe simpatizantët zhvilluan sot homazhe pranë memorialit të tij, në rrugën “Abdi Toptani” në kryeqytet.

Në memorialin vendosur në vendin ku më 12 shtator 1998 u vra Azem Hajdari dhe shoqëruesi i tij Besim Çerja, nuk u panë ata që kanë bashkëpunuar me të në kohë të mira dhe të vështira të PD-së dhe zyrat të tjerë të lartë të kësaj force politike.

Në këtë ceremoni munguan Jozefina Topalli, Eduard Selami, Astrit Patozi, Genc Ruli, Ritvan Bode, Flamur Noka, Majlinda Bregu etj. Lulet në memorialin e Azem Hajdarit, i vendosi kryetari Lulzim Basha, lideri historik Sali Berisha, familjarë dhe figura që po spikasin në PD-në e sotme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se “Azem Hajdari është gjallë sepse gjallë është kurajo, vendosmëria e tij për të mos lëshuar kurrë liritë e fituara në dhjetorin e vitit 1990”.

“Jemi këtu për të nderuar Tribunin e demokracisë shqiptare liderin e lëvizjes studentore të Dhjetorit, njeriun që vrau frikën e që me frikën e vrarë dhe të hedhur mbi supe, si një triumf i rinisë shqiptare shpërndau kurajën e njerëzve të lirë nga Jugu në Veri. Diktatura nuk ia fali kurrë Azem Hajdarit përmbysjen e madhe e të parikthyeshme, kthimin e lirisë së qytetarit në themel të një shoqërie, mposhtjen e frikës, ekzaltimin e kurajos qytetare. Ndaj krimi i lidhur me pushtetin, shkuli Azem Hajdarin nga gjiri i demokratëve dhe shqiptarëve të lirë më 12 Shtator 1998.

Por nuk e shkuli e nuk e shkul dot kurrë nga mirënjohja e demokratëve dhe e një kombi të tërë, nga nderimi për veprën e tij të pavdekshme. Azem Hajdari është gjallë sepse e gjallë është kurajo, vendosmëria e tij për të mos lëshuar kurrë liritë e fituara në Dhjetorin e vitit 1990. Azem Hajdari është gjallë sepse e gjallë është forca kreshnike e Azem Hajdarit në Partinë Demokratike për ti prirë qytetarëve të lirë, për ta mposhtur dhe një herë krimin e lidhur me pushtet dhe pushtetin e bërë njësh me krimin”, u shpreh Basha.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: