Irani është prej gati dy muajsh nën pushtetin e protestave të vazhdueshme të cilat nisën pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila humbi jetën në një nga komisariatet e vendit.

Karakteristikë e këtyre protestave ka qenë dhuna policore, nga e cila kanë humbur jetën disa protestues, por nuk kanë munguar edhe pretendimet për përdhunim nga autoritetet policore.

Një vajzë adoleshente pretendon se është abuzuar seksualisht nga një polic gjatë përleshjeve në qytetin e Zahedanit më 30 shtator.

Në lidhje me ngjarjet në këtë qytet, ka ardhur edhe reagimi i parë nga autoritetet iraniane, me shkarkimin e dy zyrtarëve të policisë nën akuzat për shpërdorim detyre.

Për sa i përket viktimave të protestës së 30 shtatorit nuk ka një shifër zyrtare , por organizatave të të drejtave të njeriut pretendojnë se kane humbur jetën mbi 80 persona.

Shkarkimi i dy punonjësve të policisë është një ngjarje e rralle ne autoritet iraniane.

Organizata e të Drejtave të Njeriut në Iran, me qendër në Norvegji, thonë se të paktën 234 protestues, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë në goditjet rreth Iranit deri më tani. Udhëheqësit e Iranit i kanë portretizuar ngjarjet si “trazira” të nxitura nga të huajt.

Pamjet e postuara në mediat sociale tregojnë se protestat janë përhapur shumë në qytete të ndryshme të vendit, dhe ato kanë ardhur në rritje pasi policia ka hapur zjarr ndaj protestuesve në qytetin e lindjes së Mahsa Amini.

Kujtojmë se 22-vjeçarja Mahsa Amini, vdiq më 16 shtator. Ajo ishte arrestuar tre ditë më parë nga policia morale në Teheran dhe ra në koma pasi u rrëzua në një qendër paraburgimi. Amini u arrestua pasi dyshohej se mbante shaminë e saj islame “në mënyrë të pahijshme”.

Sipas raportimeve thuhet se oficerët e policisë e kanë rrahur me shkop gome dhe i kanë përplasur kokën në një automjet. Këto akuza u mohuan nga policia duke deklaruar se 22-vjeçarja ka pësuar atak kardiak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb