Udhëheqës politikë në Kosovë dhe në Serbi dënuan një incident të së dielës mbrëma në pjesën veriore të Mitrovicës, në të cilin mbeti i plagosur një i ri i komunitetit serb.

Policia e Kosovës, tha se është duke hetuar incidentin në të cilin një grup i të rinjve serb dhe shqiptarë janë përleshur në afërsi të urës mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit.

“Përleshja ka ndodhur në hyrje të urës së Ibrit dhe sipas dëshmitarëve, i riu serb është ngatërruar me disa të rinj shqiptarë. Këta të fundit kanë përdorur mjete të mprehta dhe e kanë goditur të riun dhe më pas kanë ikur në drejtim të Mitrovicës Jugore”,thanë zyrtarë të policisë.

Mediet lokale serbe thanë se i plagosuri është 17 vjeçar dhe po trajtohet në spitalin në pjesën veriore të qytetit.

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj e dënoi ashpër incidentin duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë “që të zbardhin rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar”.Ai shkroi në rrjetet sociale se “Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe në vazhdimësi ka qenë shembull i tolerancës dhe diversitetit dhe se veprimet e tilla janë raste të izoluara dhe asnjëherë nuk do të cenojnë paqen dhe sigurinë në vend”.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha në një intervistë për televizionin Pink të Serbisë se incidenti dëshmon sa e rrezikshme është hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Kjo është arsyeja pse unë thashë se sa e rrezikshme ishte të hapej ura e Ibrit, sepse synim i shqiptarëve është veriu i Kosovës dhe rruga e Mbretit Peter në Mitrovicën e Kosovës”,tha ai.

Kryetari i parlamentit tashmë të shpërndarë të Kosovës, Kadri Veseli, e dënoi ashpër incidentin, ndërsa tërhoqi vërejtjen se siç tha, “loja që Aleksandër Vuçiç po luan, për interesa të tij të ngushta dhe për konsum të brendshëm politik, është në dëm të bashkëqytetarëve tanë serb të Kosovës. Deklarata e tij e sotshme ka për synim cenimin e sigurisë së Kosovës dhe dëmtimin e stabilitetit rajonal. Prandaj, i bëj thirrje Beogradit, që të heq dorë nga provokimet dhe të lërë bashkëqytetarët tanë serb rehat të lirë”.

Në një postim në rrjetet sociale ai theksoi se “shqiptarët dhe serbët nuk kanë probleme në Shtërpcë, Graçanicë, Novobërdë apo shumë vende të tjera ku jeton shumica dërrmuese e komunitetit serb në Kosovë. Problemet ekzistojnë vetëm aty ku Serbia ka interes që të shkaktojë konflikt. Kosova është një shtet evropian demokratik, multi-etnik që garanton maksimumin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve jo-shumicë dhe kurrsesi nuk do të lejojë krijimin e mureve artificialë të ndarjes apo urrejtjes ndër-etnike. Me këtë rast i siguroj bashkëqytetarët tanë serb që Kosova është shteti i të gjithëve atyre që jetojnë këtu dhe do të kujdeset njësoj për të gjithë kudo ku banojnë”, shkroi ai.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare, ishte shpeshherë zonë tensionesh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb