Nga: KLODIANA LALA*
KURBIN – Anton Leka, një prej të arrestuarve për përleshjen përpara komisariatit të Kurbinit, ngjarje për të cilën përfundoi prapa hekurave dhe deputeti i përjashtuar tashmë nga Partia Socialiste, i është rikthyer lirisë. Katër ditë më parë ai ka lënë qelitë e paraburgimit në Fushë-Krujë, pasi Gjykata e Lartë ka firmosur të shuajë masën e sigurisë “arrest me burg” me afat ndaj Anton Lekës.

Në fakt, ishte Prokuroria e Përgjithshme, ajo që kërkoi pushimin e procedimit penal dhe iu drejtua gjykatës të shuajë masën, pasi nga veprimet hetimore, rezultoi se Anton Leka, ashtu sikurse kishte pretenduar në krye të herës, nuk kishte aspak lidhje me ngjarjen e rëndë që përfundoi me shtatë të plagosur pas konfliktit mes familjes Prenga e Cali, për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut.

Burime nga prokuroria thanë se u vërtetua plotësisht se Leka nuk është gjendur në vendin e ngjarjes, pra në sherrin përpara komisariatit të Kurbinit, ndërsa shenjat e barutit që iu gjetën në duar u vërtetua se i kishin ngelur nga ndezja e disa fishekzjarrëve në dasmën e një të njohurit të tij.

Në fakt, Anton Leka këmbënguli para Gjykatës së Lartë se natën e ngjarjes ndodhej në dasmë dhe për këtë depozitoi veç të tjerash edhe kamerat filmike të dasmës, ndërsa praninë e tij në spital e justifikoi me faktin se kishte shkuar për të mësuar për fatin e mikut të tij, konkretisht vëllait të deputetit Armando Prenga, që mbeti i plagosur rëndë në ngjarje.

Ngjarja për të cilën mbahej nën arrest Leka, si dhe gjashtë persona të tjerë, mes tyre dhe deputeti Prenga ndodhi mbrëmjen e 04 shtatorit 2015. Sipas prokurorisë, rreth orës 22:30, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Armando Prenga, ka shkuar te lokali i shtetasit Gjok Cali, ndodhur në Lagunën e Patokut dhe tek ura e lokalit është kontaktuar me djalin e tij, Dorian Cali dhe nipin Julian Cali, me të cilët ka debatuar. Më pas ai është larguar dhe gjatë rrugës është përballur në Fushë-Kuqe me Gjok Calin, ku sipas pretendimeve të këtij të fundit, deputeti Armando Prenga ka nxjerrë pistoletën, e ka goditur në kokë me qytën e saj dhe ka qëlluar me të njëherë në ajër. Gjok Cali ka njoftuar policinë dhe ka shkuar të bëjë denoncim në komisariat.

Në kohën kur i Gjok Cali ka hyrë brenda ambienteve të tij për të bërë kallëzim penal, shtetasit që e shoqëronin kanë qëndruar në pritje të tij, jashtë ambienteve të këtij komisariati. Gjatë kësaj kohe, para komisariatit të policisë ka ardhur deputeti Armando Prenga, i shoqëruar nga vëllai i tij, Edmond Prenga, lidhjet shoqërore, Gazmir Jushi, etj. Këta shtetas kanë filluar të konfliktohen fizikisht dhe më pas deputeti Armando Prenga ka përdorur armë zjarri tip pistoletë. Nga të shtënat më pistoletë është plagosur në këmbë Tom Cali. Gjithashtu, gjatë këtij konflikti janë përdorur dhe armë të ftohta dhe kanë mbetur të dëmtuar Gazmir Jushi, Eduart Prenga, Gjergj Cali, Gjok Cali dhe Nikoll Cali.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: