Agjencia e lajmeve Reuters tha se gazetari i saj, Danish Siddiqui, është vrarë duke mbuluar një përleshje midis forcave afgane të sigurisë dhe militantëve talebanë, pranë një vendkalimi kufitar me Pakistanin. Bashkë me të u vra edhe një oficer i lartë afgan.

Sulmi ndodhi pranë një tregu në qarkun Spin Boldak. Siddiqui po përcillte forcat afgane që nga fillimi i kësaj jave në provincën jugore të Kandaharit. “Danish ishte një gazetar i shquar, një burrë dhe baba i përkushtuar dhe një koleg shumë i dashur. Mendimet tona janë me familjen e tij në këtë kohë të tmerrshme”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidenti i agjencisë Reuters, Michael Friedenberg, dhe kryeredaktorja Alessandra Galloni.

Siddiqui ishte pjesë e ekipit fotografik të Reuters-it, që fitoi Çmimin Pulitzer në vitin 2018 me fotografinë që dokumentonte krizën e refugjatëve Rohingya, në Mianmar. Gazetari ka punuar për agjencinë e lajmeve Reuters qysh në vitin 2010. Ai, mes tjerash, ka mbuluar luftërat në Afganistan dhe Irak, krizën e refugjatëve Rohingya, protestat e Hong Kongut dhe tërmetet në Nepal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb