Nga: JETON SELIMI*
Rafael Benitez është zyrtarisht trajner i Realit të Madridit. 55-vjeçari nënshkroi një kontratë 3-vjeçare, që e mban të lidhur me klubin spanjoll deri në vitin 2018. Benitez, i cili u prezantua nga presidenti Florentino Perez, u shfaq tepër i emocionuar duke mos i përmbajtur lotët për rikthimin pas 20 vjetësh në shtëpi. “Është një ditë emocionuese, sepse u riktheva në shtëpinë time. Shpresoj të fitojmë sa më shumë trofe dhe skuadra të luajë sa më mirë. Pjesa më e vështirë është kur duhet të flasësh dhe nuk di se çfarë të thuash. Premtoj se do të punoj fort dhe me përkushtim. Besoj se mund të kthejmë besimin në skuadër”. Në fjalën e tij, presidenti Florentino Perez theksoi se Benitez është njeriu i shtëpisë dhe me një eksperiencë të jashtëzakonshme mbi supe. “Reali i Madridit është një klub me kërkesa të larta. Historia jonë na tregon që nuk kënaqemi asnjëherë. Nisim një etapë të re me bindjen e plotë se trajneri i ri do të na bëjë më të fortë”.
Perez më pas revokoi të kaluarën e Benitez, për t’i bindur tifozët se është zgjedhja më e mirë e mundshme për Realin e Madridit. “Rafael jeton me futbollin. Është një profesionist i madh dhe e ka në zemër madridizmin që kur ishte fëmijë. Njeh kulturën, principet dhe vlerat që kanë ndërtuar këtë legjendë. Benitez për ne është një nga trajnerët më të mirë në botë dhe e orienton punën e tij për të marrë më të mirën nga futbollistët. Rafa Benitez ka fituar trofe të shumtë gjatë 15 viteve të fundit si trajner. Ai ka vizituar qendrën stërvitore “Valdebebas”. Benitez u prit nga Zinedine Zidane, i cili aktualisht është trajneri i Real Madridit B. Francezi i tregoi zyrën e tij të re Rafës, i cili regjistroi edhe gjurmët e gishtave, si e vetmja mënyrë për t’u futur tek ajo zyrë. Benitez do të marrë vendin e Karlo Ançelotit, i cili u shkarkua pasi e mbylli sezonin pa asnjë trofe. Ançeloti e udhëhoqi Realin drejt Champions League numër 10 në historinë e klubit “merenges”, në vitin 2014, por këtë sezon skuadra e tij qëndroi nën hijen e Barcelonës. Benitez e ka nisur karrierën si profesionist duke drejtuar Real Madrid “B” deri në vitin 1995 dhe do të rikthehet në klub pas 20 vitesh. Benitez ka si detyrë të ndalë dominimin e Barcelonës në Spanjë dhe Europë, si dhe të bëjë të mundur “bashkëjetesën” e dy futbollistëve më të shtrenjtë të planetit, Gareth Bale dhe Kristiano Ronaldo. Rafa e ka fituar dy herë kampionatin spanjoll nën drejtimin e Valencias në vitet 2002 dhe 2004.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: