Egnatia ka lënë pas humbjen në shtëpi ndaj Bylisit, duke e kompensuar me një trepikësh në transfertë ndaj Kastriotit, duke fituar 2-3 edhe pse për më shumë se 45 minuta luajti me 10 futbollistë.

Një ndeshje që prodhoi emocione në stadiumin e Kamzës, me gola, raste nga të dyja skuadrat, penallti, kartonë të verdhë e të kuq. Ishin miqtë rrogozhinas që kaluan të parët në avantazh në minutën e 31-të, teksa Xhekson shënoi saktë nga pika e bardhë. Krutanët në barazojnë rezultatin pas minutash me anë të Selmanit.

Në fundin e pjesës së parë Egnatia mbetet me 10 lojtarë, pasi Agbekpornu mori të dytën e verdhë. Në pjesën e dytë Kastrioti hyn më i vendosur dhe kalon në avantazh 2-1 me Edon Hasanin. Por më pas, për çudinë e të gjithëve, në harkun kohor të 5 minutave të besuarit e Shpëtim Duros përmbysin gjithçka.

Fillimisht barazojnë me Fernandon në 61’, ndërsa Delarzh çon shifrat në 2-3. Edhe pse në inferioritet numerik, rrogozhinasit mbrojnë me fanatizëm fitoren deri në fund, duke besuar fort në objektivin për një vend në Europë.

Në ndeshjen tjetër të orës 13:00, Erzeni dhe Bylisi ndanë nga një pikë në barazimin 1-1, me shijakasit që barazuan në fundin e ndeshjes. Një pikë që vlen pak për të dyja skuadrat në këtë stacion të garës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb