Një fitore me përmbysje, aq më tepër kur të dhuron një biletë për në finale, ka gjithnjë një shije të veçantë. Teuta festoi më të drejtë kualifikimin përballë Kukësit, një fitore e madhe që i jep sezonit të durrsakëve të tjera ngjyra. Në 100 vjetorin e themelimit të klubit, Teuta është më pranë se kurrë realizimit të objektivave, janë vetëm një hap larg një trofeu me shumë peshë që do ti mundësonte gjithashtu Europën por tashmë mund të përqendrohen totalisht në kampionat ku gjithashtu kanë shansin për të siguruar vendin e tretë. Në “Niko Dovana” u zhvillua një ndeshje fantastike në çdo aspekt, lojë e fortë, raste për shënim, gola, përmbysje. Në fraksionin e parë të besuarit e Orges Shehit ishin më kërkues, krijuan më shumë volum lojë, raste për shënim, por ishin thjeshtë të pafat, madje goditën dhe shtyllën me Abzaj.

Kukesi
Kukesi

Pjesa e dytë ishte zjarr, me Teutën që kaloi shumë shpejt në avantazh por goli i Rustem Hoxhës u anulua për pozicion jashtë loje. 3 minuta më vonë, historia ndryshoi me Rocën që realizoi një gol shumë të bukur duke kaluar Kukësin në avantazh. Edi Martini ndërhyri në formacion duke kryer 3 zëvendësime të shpejta, të cilat patën efekt të menjëhershëm. I sapo hedhur në lojë, Devi Kapllani me një goditje kirurgjikale barazoi shifrat në minutën e 73-të. Në aksionin që solli golin e barazimit, Kukësi pretendon që fillimisht është shkaktuar faull ndaj Krasniqit. Përmbysja e madhe u vu në jetë në minutën e 83-të ku Rustem Hoxha sërish me kokë dërgoi topin në rrjetë me gjyqtarin e takimit që konsideroi gjithçka të rregullt, sërish në këtë aksion klubi i Kukësit pretendon se Hoxha ishte në pozicion jashtë loje. Shifrat nuk ndryshuan deri në fund, me Teutën që rezervon një biletë për në finale ku do të përballet me Tiranën në një sfidë shekullore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb