Dortmundi nuk zhgënjeu as në javën e dytë të Bundesligës, teksa fitoi me shifrat 1-3 në transfertë ndaj Këlnit, edhe pse me përmbysje.
Takimi nisi me vështirësi për verdhezinjtë, teksa që në minutën e 29-të, ishin vendasit që kaluan në avantazh me Dreksler, që shtyu topin me kokë në zhvillimet e një goditje këndi.
Gjithsesi më pas, Dortmundi kërkoi të kthente me doemos sfidën, por golin e barazimit e gjeti vetëm në minutën e 70-të, ku Xhejdon Sanço lëshoi një të majtë të fortë nga brenda zone, dhe nuk i la asnjë mundësi portierit kundërshtar.
Përmbysja erdhi vetëm në fund për ekipin e Favre. Hakimi shënoi golin e dytë në minutën e 86-të, po me kokë, pas një harkimi të saktë nga Piszhek.
Në minutën e 94-t, pati kohë edhe për golin e tretë, që u shënua nga Pako Alkaser, në një kundërsulm të Dortmundit, që siguroi kështu fitoren e dytë në po kaq ndeshje, dhe merr vendin e parë në klasifikim me 6 pikë të plota.
/Panoramasport/