Vijon spektakli në finalet e play-ofit për titullin kampion në NBA. Miami Heat barazoi 1-1 serinë e ndeshjeve finale ndaj Denver Nuggets, pas fitores 111-108 arritur jashtë fushe.

Një ndeshje spektakolare, e hapur dhe me rivalitet deri në fund, me miqtë që bënë një përmbysje fantastike në periodën e fundit, duke treguar se janë ende “gjallë”. Ekipi nga Florida e nisi mirë, duke krijuar 9 pikë diferencë, por më pas vendasit përmbysën dhe morën frenat e lojës në dorë, megjithatë nuk arritën në fund të mbanin avantazhin minimal.

Denver nuk arriti të shfrytëzojë si duhet faktori fushë, duke gabuar në fundin e sfidës. Nikola Jokic realizoi 41 pikë e 11 rebound për Denver, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen, pasi nuk u mbështet ashtu si duhet nga pjesa tjetër e skuadrës.

Në kahun tjetër, Miami pati tre lojtarë që realizuan mbi 20 pikë, çka tregon se kolektiviteti bëri diferencën në parket. Vincent realizoi 23 pikë, mbështetur edhe nga Butler e Adebayo me nga 21 pikë secili. Vendimtare pikët e Robinson në fundin e takimit, që sollën përmbysjen e madhe të skuadrës së Miami, që tashmë do të luajë në fushën e saj dy sfidat e radhës, duke nisur nga 7 qershori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb