Reshjet e shiut shkaktuan përmbytje një ditë më parë në qytetin e Vlorës. Mungesa e kanaleve kulluese, bllokimi i pusetave, por edhe mungesa e pompave për të tërhequr ujin e tepërt bënë që Vlora të bëhej e pakalueshme.

Por përmbytjet shkaktuan përplasje edhe mes kryebashkiakut Dritan Leli dhe ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika.

Ky i fundit u shigjetua nga televizioni i vëllait të Dritan Lelit, për lejimin e ndërtimeve të larta, që ishin edhe një nga shkaqet pse Vlora përmbytej. Kaq ka mjaftuar që Gjika të shpërthente ashpër. “Sot e mësova që, “struci”, vetëm këtu në Vlorë dhe jo gjetkë, e fshehka kokën dhe nxjerr bythën zbuluar, jo kur i kanoset rreziku nga kafsha grabitqare, por kur u mbytka në ujë. Zanati thonë, o mësohet qysh vitin e parë, kur ke vullnet, pasion dhe dëshirë, ose në të kundërt, jo që nuk bëhesh dot usta, por për fat të keq, ngelesh çirak edhe po të mbajtën në punë për sevap edhe 4 vjet të tjera!”, shkruante Gjika.

Kujtojmë që dje, pika më kritike ishte zona pranë Albanos dhe Rominës, ndërsa përmbytje ka pasur edhe tek rruga e Cipajve, pranë portit detar, si edhe në Bulevardin e ri Vlorë-Skelë.

Rrugët që kanë mbetur të bllokuara janë rrugët në zonën e Skelës dhe ajo e lagjes Pavarësia.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb