Nga: AHMET SHQARRI*
Nuk ka përmasat e dhimbjes që ka pllakosur në jug të vendit, por një lloj përmbytjeje është edhe ajo që ka pushtuar futbollin tonë. Larg cinizmit për të bërë krahasime të tilla, gjithsesi ato pamje që na ofruan fushat e baltosura këtë mesjavë gjatë ndeshjeve për Kupën e Shqipërisë, ishin një pjesëz e vogël e asaj të vërtete të madhe e të trishtë të kësaj përmbytjeje, që rrjedhën e saj më të vrullshme dhe më të dëmshme ia shkaktojnë “reshje” të tjera që janë duke rënë prej kohësh në këtë fushë. Fati na ka sjellë që të shohim në të njëjtën ditë ndeshje të shumta nga vendi dhe bota, dhe për dreq, këtu te ne tribunat e stadiumeve rrangallë shihen fare bosh prej spektatorëve, ndërsa në Dortmund, edhe pse ekipi vendas është në fund të renditjes, në stadiumin e atjeshëm prej 80 mijë vendesh, vështirë se mund të gjesh një vend të lirë! Reshje të shumta shiu e bore bien papushim atje, por fushat nuk kthehen kurrë dhe asnjëherë si te ne, plot llucë dhe baltë, siç i pamë edhe këtë javë, ku mungesës së argëtimit dhe kënaqësisë, i shtohet një trishtim më i madh prej komenteve të zhurmshme dhe aspak profesioniste gjatë transmetimit, ku në ndonjë rast si ai i Fushë- Krujës, ku ndeshej Partizani ndaj Laçit, (sepse kryeqyteti ynë ka kohë që nuk ka një fushë për të luajtur, e jo më një stadium!), kuisjet dhe lehjet e vazhdueshme të një qeni, që në mungesë të brohoritmës së tifozëve, dëgjoheshin qartazi prej ekranit përkatës, ngjanin si një kolonë zanore e një filmi të shpifur…!
Siç përmenda më sipër, kjo që pamë në mesjavë ishte vetëm një copëz hapësire që nuk mund të fshihet, paçka përpjekjeve tinëzare dhe aspak morale të disave, që bëjnë sikur nuk i shohin gjithë ato pasoja “reshjesh” që vazhdojnë ta përmbytin e ta bëjnë gjithnjë e më të baltosur këtë futboll. Si ju duket deklarata e këtyre ditëve e një presidenti klubi si Ardian Takaj, për të cilin është thënë e shkruar se po harxhon për këtë futboll, thuajse si asnjë tjetër, e megjithatë, ai shpërthen duke akuzuar se në këtë vend ka shumë egërsira dhe lojtarët janë të dënuar që të luajnë këtu, në këtë futboll të qelbur?! Dikush nga ata që gjithmonë kërkojnë të mashtrojnë, mund të thotë se personi në fjalë është nxituar dhe se “e vërteta” nuk është kështu, por besoj se i kujtoni mirë edhe deklaratat e mëparshme të shumë presidentëve të tjerë, gjithashtu ndërtues të themeleve të këtij futbolli që po shohim sot, se si gati po me këtë mllef kanë akuzuar edhe ata, deri me epitetin “mafia”, të gjithë këtë mjedis të korruptuar, që sipas tyre, “përmbytjen” e ka kthyer në një stinë të vazhdueshme. Me “humor” ose jo, videoja e shpërndarë këto ditë nga një media e huaj dhe e lakuar edhe mes nesh si një dukuri tashmë e raportuar edhe nga UEFA, për trukimin e ndeshjeve tona të futbollit, edhe pse mund të jetë larg të së “vërtetës”, sipas FSHF-së, me gjithë kërcënimet e saj për padi penale ndaj autorit, i shëmbëllen asaj thënies së famshme proverbiale se, “ku ka zë, nuk është pa gjë”! Për këtë mjafton të kujtojmë turpin e shfaqur para ca ditësh në disa fusha tonat, ku më përbuzës ishte ai që u shfaq gjatë ndeshjes në stadiumin e Vlorës mes ekipit vendas dhe atij durrsak, ku ndoshta pas ca kohësh, harresa dhe mashtrimi mund ta fshijnë edhe këtë pisllëk të radhës, siç ka ndodhur edhe me raste të tjera korruptive, që kurrë nuk u është shkuar deri në fund. Nuk janë vetëm këto reshje të natyrës që sjellin përmbytje të tilla të mëdha te ne, por ka edhe të tjera që ne të gjithë bëjmë sikur nuk i shohim, paçka se ato bëjnë mu’, para syve tanë. Kur të akuzuarit për prapësitë e ndodhura krijojnë iluzionin se janë duke “dekriminalizuar” mjedisin në fjalë, nëpërmjet deklaratave apo mburrjeve të kota e të pafundme, përmbytjet e radhës i japin një tjetër shuplakë në surrat këtij realiteti të gënjeshtërt, të shfaqur plot matrapazllëk prej tyre. Kështu siç po veprohet, kur të zezën kërkojnë të na e shfaqin si një spektër plot ngjyra, gjendja jo vetëm që nuk përmirësohet, përkundrazi ajo bëhet më e rëndë dhe tepër shqetësuese. Një model i tillë i pabesueshëm u pa këto ditë nga ai seleksionim i “qindra” fëmijëve e të rinjve, që të vëzhguar edhe nga vetë trajneri italian De Biazi, siç u tha, do të mund të bëhen e ardhmja e futbollit tonë! E gjithë kjo duket mashtruese kur sheh se prej vitesh futbolli ynë, i mbushur së shumti me lojtarë të huaj e pa nivel, (s’dihet përse ndodh kështu?), nuk po i gjejnë vend një talenti të spikatur as në kampionatin tonë e jo më që ai të bëhet pjesë e skuadrave përfaqësuese për moshat, për të mos të të shkuar pastaj mendja deri te një aktivizim i tij me kombëtaren! Që të mos t’i kemi më këto përmbytje që na kanë pushtuar, masat parandaluese duhet të jenë konkrete dhe mbi të gjitha të ndershme…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: