Numri i viktimave për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në Petropolis, një qytet në shtetin juglindor të Brazilit Rio de Zhaneiro, u rrit në 130 të premten, sipas autoriteteve lokale.

Raporti i fundit nga agjencia lokale e Mbrojtjes Civile tha gjithashtu se numri i personave të raportuar të zhdukur është dyfishuar në mbi 200, pasi shirat e dendur të martën shkaktuan vërshimin e lumenjve, duke sjellë rrëshqitje dheu që shkatërruan shumë shtëpi.

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, i cili fluturoi mbi zonën e katastrofës mesditën e së premtes, tha se dukej si një “skenë lufte” dhe urdhëroi ministrat e tij të merrnin një sërë masash të reja.

Zjarrfikësit thanë se ishte ende e mundur të shpëtonin njerëz të gjallë katër ditë pas katastrofës, megjithëse kushtet e motit ngadalësuan përpjekjet e shpëtimit duke e bërë të vështirë përdorimin e makinerive të rënda për të lëvizur dheun dhe rrënojat.

Qeveria braziliane pritet të lëshojë rreth 500 milionë realë (rreth 95 milionë dollarë amerikanë) si ndihmë emergjente për zonën e prekur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb