TIRANE- Stuhia e reshjeve të shiut si dhe vërshimi i lumenjve kanë vënë Jugun e vendit nën “thundrën” e ujit. Mijëra hektarë tokë dhe qindra banesa janë përmbytur në 5 qarqe të vendit tonë gjatë dy ditëve të fundit. Burime zyrtare nga krerët e njësive vendore, bëjnë me dije se janë përmbytur me shumë se 13.500 hektarë tokë në jug të vendit tonë. Mësohet se në Qarkun e Vlorës janë përmbytur 8000 ha tokë, në Qarkun e Fierit 5000 ha tokë, në Qarkun e Beratit 250 ha tokë, në Qarkun e Elbasanit 50 ha tokë si dhe dhjetëra ha tokë në Qarkun e Gjirokastrës.

Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimit të lumenjve janë përmbytur mbi 1700 banesa. Sipas krerëve të njësive vendore, në Qarkun e Fierit janë përmbytur 1200 banesa, në Qarkun e Vlorës 350 banesa, në Qarkun e Elbasanit 25 banesa, në Qarkun e Beratit 56 banesa dhe në Qarkun e Gjirokastrës disa banesa.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zgjedhur sot të vizitojë një tjetër zonë të përmbytur. Nga Novosela e Vlorës ai ka udhëtuar sot drejt Urës Vajgurore, ku ka banesa të përmbytura. Rama ka ndaluar në lagjen “18 tetori” ku ka takuar banorët në shtëpitë e përmbytura.

Kreu i qeverisë është shprehur i kënaqur për mënyrën e funksionimit të strukturave të emergjencave civile. Pas qetësimit të situatës, Rama ka premtuar investime sa 20 vite të marra bashkë.

“Më lejoni t’ju them se shumë shpejt kjo zonë të njihet me një investim, vlera e të cilit është i barabartë me shumën e të gjitha investimeve të kryera gjatë 20 viteve demokraci në këtë zonë”, vijoi Rama.

Bllokohen nga uji 3 barinj me 150 krerë dele në Shtyllas

Ora 16:00- Megjithë përmirësimin disi të motit, në Myzeqe dhe në jug të vendit situata vijon të jetë shumë e rëndë. Në fshatin Shtyllas të Fierit, 3 barinj kanë bërë apel për ndihmë pasi janë bllokuar nga uji. Sipas të dhënave nga shtabi i emergjencave të Prefekturës së Fierit, barinjtë janë bllokuar bashkë me tufën e tyre me 150 krerë dele. Ata kanë kërkuar ndihmë pasi nuk kanë mundur të dalin nga uji. Nga raportimet mësohet se një banor i zonës ka shkuar me një mjet bujqësor për ti tërhequr dhe mësohet se i ka nxjerrë në tokë, por ende nuk dihet nëse janë nxjerrë edhe bagëtitë.

NIS SHPERNDARJA E PAKOVE USHQIMORE NE ZONAT E PERMBYTURA
Ministria e Brendshme ka njoftuar sot se janë evakuar 420 familje dhe në zonat e përmbytura ka nisur shpërndarja e pakove me ushqime. 250 pako me ushqimet më të domosdoshme janë duke u shpërndarë në Novoselë të Vlorës, ndërsa 250 të tjera do të shpërndahen në Levan të Fierit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka përgatitur edhe 80 pako të tjera më ushqime që do të dërgohen në Urën Vajgorure.

FA-TË VIJOJNË OPERACIONIN PËR EVAKUIMIN E BANORËVE TË PËRMBYTUR
Ora 12:12– Forcat e Armatosura, me kërkesë të Prefekturave të qarqeve të Jugut dhe me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, u angazhuan në ndihmë të popullsisë së përmbytur në jug të vendit, përkatësisht:
Komanda e Mbështetjes, u angazhua në operacion evakuimi: Në komunën Novoselë Vlorë me 20 forca dhe 3 mjete transporti, 2 motobarka, 4 gomone të batalionit të Kërkim Shpëtimit.
U evakuan 5 persona dhe shpërndanë ndihma për banorët në nevojë.
Në komunën Levan, Fier, me 2 automjete të kalueshmërisë së lartë, në mbështetje të Shtabit të Emergjencave Civile të Qarkut Fier, për evakuim popullsie si dhe transport të forcave të rendit për në fshatin Hoxharë.
Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, u angazhua në operacion evakuimi:
Në komunën Novoselë, Vlorë, me 10 forca dhe 4 mjete transporti të QSI, Bunavi, në mbështetje të Shtabit të Emergjencave Civile të Qarkut Vlorë, u evakuann 35 persona, 2 mjete civile dhe kanë shpërndarë ushqime për familjet ne nevojë.
Totali i forcave dhe mjeteve të Forcave të Armatosura të angazhuara në operacion, 232 persona, 29 mjete transporti dhe 2 motobarka e 4 gomone. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kanë në gatishmëri operacionale të gjitha kapacitetet e deklaruara për përballimin e Emergjencave Civile.
Për shkak të vijimit të kushteve të këqija të motit, angazhimi i Forcave të Armatosura në operacion për përballimin e situatës së krijuar në Jug të vendit për shkak të reshjeve të dendura të shiut, vijon me të njejtin intensitetet dhe me të njejtin përkushtim.

FIER, POLICIA EVAKUON DY FAMILJE, MBETEN TË IZOLUARA BAGËTITË
Ora 11:30- Në fshatin Qarr u evakuan 2 familje, raporton Policia e Shtetit, duke dhënë detaje mbi punën që uniformat blu dhe grupet ndihmëse po kryejnë në zonat e përmbytura në fshatrat përreth lumit Vjosë.
Kështu sipas Policisë, në Hoxharë janë izoluar 100 bagëti dhe ndihma po bëhet vetëm me gomone nga Delta Forcë.
Në Fik rreth 50 banorë me bagëtit e tyre kërkojnë ndihmë për të nxjerrë bagëtitë nga uji. Në pyllin e fshatit Darëzeze janë 10 barinjë me 1 000 bagëti që kërkojnë ndihmë.
Në ndihmë të tyre janë nisur F.N.SH dhe Delta Forcë, së bashku me grupin e emergjencave civile.

RESHJE DËBORE DHE ERËRA TË FORTA, NË KUKËS DISA KOMUNA PA ENERGJI
Ora 10:15- Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile, për të diskutuar të gjitha problematikat e shfaqura gjatë 24 orëve të fundit, pas reshjeve të dëborës.
Në këtë takim, Prefekti Gjici tha, se Qarku i Kukësit, u përfshi nga reshje dëbore dhe shiu, sufërina e lëvizje të temperaturave, karakteristika këto të cilat krijojnë probleme serioze në jetën e komunitetit të Qarkut.
Ai ka shtuar, se në të gjitha rrugët mbizotëron një situatë e qëndrueshme, pasi automjetet mund të qarkullojnë pa zinxhirë.
Rruga e Kombit, konkretisht segmenti Kalimash – Kukës – Morin, është mbajtur gjatë gjithë kohës e qarkullueshme pa zinxhirë, ku janë aktivizuar çdo ditë 12 borëpastruese dhe 4 fadroma, ndërkohë që në ditët me ngarkesë janë aktivizuar 22 borëpastruese e 7 fadroma. Gjici shtoi, se aktualisht janë të bllokuara qëndrat e komunave Arrën dhe Lekbibaj. Ndërkohë, qarkullojnë me zinxhirë qëndrat e komunave Kalis dhe Grykë-Çajë.

Për shkak të erërave të forta, i gjithë Qarku ka pasur probleme sa i takon furnizimit me energji elektrike. Për pasojë, ka probleme në furnizimin me energji të popullatës, si në komunat e zonës së Grykës së Vanave, komunat Zapod, Shishtavec dhe Topojan, ashtu dhe në komunat që furnizohen nga Peshkopia: Kalis, Bushtricë dhe Grykë Çajë . Veç kësaj, edhe disa zona të tjera të rrethit të Has-it.

Prefekti ka kërkuar që të ketë një angazhim serioz dhe të plotë nga të gjithë strukturat dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore, për kryerjen e detyrave funksionale dhe ligjore, me qëllim përballimin edhe të kësaj situate dimërore.

QARKULLIMI NE AKSET RRUGORE

Ora 09:00- Qarkullimi në akset kryesore kombëtare në vend sot paraqitet me disa probleme për shkak të përmbytjes në disa zona dhe reshjeve të dëborës në disa të tjera. Në disa raste, mbi akset rugore ka pasur edhe rrëshqitje gurësh.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor rekomandojnë kujdes dhe kalim me zinxhirë në disa nga akset ku janë formuar ngricat e para. Situata e qarkullimit rrugor deri ën orën 9:00 paraqitet si më poshtë:

QARKU VLORE

Sipas ARRSH, aksi i vjetër Levan-Vlorë është i mbyllur tek Ura e Mifolit, si pasojë e daljes së ujit në rrugë. I bllokuar për momentin është edhe një pjesë e aksit Vlorë – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës. Reshje bore kanë rënë në Llogara, ku po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit. Duhet të evitohet qarkullimi në akset e përmbytura nga uji i Vjosës. Qarkullimi në aksin e Llogorasë bëhet me zinxhirë.

Mbi 350 banesa dhe mijëra hektarë tokë janë përmbytur në Qarkun e Vlorës. Vetëm gjatë ditës së diel dhe në orët e natës nga komuna Novoselë janë evakuuar 70 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytja. Në komunën Novoselë, fshati Mifol dhe Bishan shfaqin ende rrezik për vijimin e përmbytjeve. Mësohet se Delta-Force bënë të mundur evakuimin e 40 familjeve nga banesat e tyre. Ndërkohë, rrugë funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re Fier-Vlorë.

QARKU FIER

Ora 12:00 Në komunat Frakull, Levan dhe Darëzezë ka prezencë të ujit. Situata po monitorohet e po bëhen matjet e nivelit të ujërave. Të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 220 banesa. Të evakuara janë 160 familje. Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 3500 ha.

Ora 10:30 Ndonëse situata vijon të jetë e vështirë, lumi Gjanicë është kthyer në shtratin e vet. Ndërkohë, lumi Seman ka pasur ulje të nivelit të tij, por prurjet vazhdojnë ende të jenë intensive. Në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente kanë evakuuar 110 familje. Po ashtu, në komunën Frakull u evakuuan 30 familje nga fshatrat Kashishtë, Kaftarë dhe Sheqmusa Lala. Ndërkaq, falë ndërhyrjes së helikopterëve u bë i mundur shpëtimi i 12 personave, të cilët ishin izoluar në fshatin Poro dhe Darzezë e Re.

QARKU ELBASAN

Sot në këtë qark ka reshje shiu dhe në zonat malore, edhe reshje bore. Në aksin Librazhd-Steblevë ka patur reshje bore, rreth 40 cm dhe po punohet për pastrimin dhe kriposjen e aksit. Në segmentin Librazhd –Qafë Thanë ka rreth 35 cm dëborë. Është spërkatur me kripë. Aksi është i kalueshëm pa zinxhirë. Aksi Elbasan – Gjinar momentalisht është i bllokuar për shkak të çedimit prej më shumë se 2. 5 m të trupit të rrugës në fshatin Shelcan. Segmenti Shelcan – Gjinar ka rreth 25-30cm dëborë. Po merren masa për pastrimin. Aksi Cerrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll. Në aksin Elbasan-Cingarë-Gramsh ka patur dalje dherash e gurësh në rrugë. Janë marrë masa për pastrimin e aksit dhe tani qarkullimi kryhet normalisht. Rënie guresh e dherash ka patur edhe në Derven, në aksin Elbasan-Rrogozhinë. Është pastruar aksi dhe qarkullimi kryhet normalisht. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në aksin Librazhd – Steblevë. Të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje të rruges. Te evitohet kalimi nga këto akse. Qarkullimi është ndërprerë në këtë pike të aksit Elbasan Gjinar. Ai bëhet nëpërmjet aksit Gramsh – Kaçivel – Elbasan.

Moti i keq vijon të mbajë të bllokuara shumë fshatra të Elbasanit, për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe prishjes së rrugëve. Një rast i tillë është ai i komunës Gjinar, ku janë izoluar 10 mijë banorë. Sakaq, situata në hidrocentralin e Banjës është përmirësuar, ndërsa niveli i prurjeve është reduktuar. Ndërkohë, dhjetëra fshatra janë pa energji elektrike.

QARKU BERAT

Gjatë 24 orëve të kaluara, reshjet në këtë qark kanë qenë me ndërprerje dhe me intensitet mesatar. Mësohet se tashmë niveli i prurjeve të lumit Osum është në vlerat mesatare. Ndërkohë, janë përmbytur 56 shtëpi që ndodhen në të dyja anët e brigjeve të lumenjve Osum dhe Devoll. Po ashtu janë përmbytur mbi 250 ha tokë bujqësore, pemë frutore dhe sera. Sakaq, situata paraqitet e vështirë në bashkinë e Urës-Vajgurore, ku janë ende nën ujë 38 shtëpi.

QARKU GJIROKASTER

Në aksin Gjirokastër-Tepelenë ka rënie gurësh në rrugë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë. Në zonën e Rrapit të Kuqarit në Përmet ka rënie gurësh; rruga është me një kalim. Po punohet nga kontraktorët për pastrimin e akseve në të dy këto segmente. Duhet të bëhet kujdes në zonat ku ka rrëshqitje dhe prani të ujit në rrugë. Reshjet në territorin e qarkut të Gjirokastrës gjatë orëve në vazhdim kanë pasur intensitet të ulët e për pasojë niveli i ujërave të lumit Vjosë ka filluar të ulet. Mësohet se dhjetëra fshatra vijojnë të ngelen të bllokuara, për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Po ashtu, në këto zona është ndërprerë dhe energjia elektrike. Ndërkohë, rruga nacionale Tepelenë– Gjirokastër nuk ka probleme nga rënia e inerteve.

QARKU TIRANE

Në Tiranë ka patur reshje bore në akset Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë, Trau Dajt-Antena dhe Qafë Priskë-Shëngjergj. Qarkullimi kryhet normalisht në gjithë akset e tjerë të këtij qarku. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në segmentin Qafë Priskë-Bizë. Duhet të bëhet kujdes në lëvizje dhe të respektohet sinjalistika.

QARKU KUKES
Momentalisht kanë pushuar reshjet e dëborës. Rrugët janë pastruar dhe janë kriposur. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset. Përsëri ka patur shembje në aksin Traget – Lekbibaj, që ka shkaktuar vështirësi në qarkullim. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Të tregohet kujdes në qarkullim si pasoje e borës dhe lagështisë në rrugë.

QARKU I SHKODRËS

Në aksin Shkodër-Qafë Qelë, në Ganjollë, për shkak të rrëshqitjes së dherave, qarkullimi vazhdon të kryhet me një korsi e me vështirësi. Gjatë natës ka patur reshje bore në akset e Pukës dhe të Tropojës. Por është bërë pastrimi dhe kriposja e tyre. Në segmentin Vrith – Razëm momentalisht rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për disa orë.

(m.a/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: