TIRANE – Disa akse rrugore në vend paraqesin probleme për qarkullimin e mjeteve mëngjesin e së hënës, si rezultat i reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin 48 orët e fundit.
Sipas informacionit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, (ARRSH) në qarkun e Tiranës, në aksin Qafë Priskë – Shëngjergj, qarkullimi është normal megjithëse ka rënie gurësh në kunetë.

Ka prani aluvionesh në Ibë, megjithëse rruga është e kalueshme, ndërsa nga autoritetet po punohet, por ky problem do zgjidhje teknike. ARRSH rekomandon që të bëhet kujdes gjatë kalimit nga rruga e Ibës, për shkak të pranisë së aluvioneve.

Në qarkun e Elbasanit, në aksin Elbasan – Qafë Thanë, qarkullimi i mjeteve kryhet normal. Aksi Elbasan – Peqin, km 60-63 Derven, ka rënie gurësh dhe bllokime tombinosh, por po punohet për zhbllokimin e tyre. Po në këtë aks, km 86, në Paper ka dalje dherash në rrugë. ARRSH njofton se po punohet për normalizimin e situatës.

Aksi Elbasan – Gramsh, segmenti K/Shirgjan – Cingare, ka shembje dherash nga skarpata. Sipas ARRSH-së janë marrë masa dhe aktualisht situata është normale. Segmenti Banjë – Drizë është i bllokuar për shkak të rritjes së nivelit të liqenit të Banjes. Qarkullimi bëhet nga segmenti tjetër. Segmenti Gramsh – Kodovjat, në vendin e quajtur Mashan ka dalje dherash. Rruga është me një kalim. Po punohet për normalizimin e situatës.

Në qarkun e Vlorës, në aksin Vlorë – Orikum, në km 3, në km 4, dhe në km 6, si rezultat i reshjeve të vazhdueshme dhe shumë intensive ka patur rrëshqitje dhe shkëputje të masiveve të dheut që ndodhen
gjatë shpateve të rrugës dhe mbi shpatet e rrugës. Për pasojë, prurjet e ngurta janë depozituar në trup të rrugës duke e bllokuar totalisht atë. Gjatësia e depozitimeve në secilën nga këto pika është 30 deri në 40 m. Prurjet e ngurta janë kryesisht shkëmbore me dimensione të mëdha. Është punuar vazhdimisht me mjete të rënda dhe aktualisht rruga është e kalueshme me një kalim.

Në qarkun e Gjirokastrës, në aksin rrugor Këlcyrë – Ballaban, në km 12,2 deri në km 15, si rezultat i prurjeve shumë të mëdha ujore dhe të ngurta dhe si rezultat i mosfunksionimit të veprave të artit, tombinove dhe urave të vogla janë shkaktuar dëmtime shumë të mëdha në elementet funksionale të rrugës, në trup të rrugës në bankina, në tombino në ura të vogla, deformime në shtresat rrugore, gërryerje në të gjithë gjatësinë e këtij segmenti etj.

Përveç këtyre ka patur edhe depozitime të ngurta në sipërfaqen e rrugës, gjatë gjithë segmentit duke e bllokuar atë. Më problematike është gjendja në km 13.9, ku si rezultat i gërryerjes së trupit të rrugës njëri krah i rrugës është jashtë funksionit dhe në rast avancimi mund të dëmtohet totalisht i gjithë trupi i rrugës, duke e bllokuar plotësisht atë. Bankinat dhe një pjesë e trupit të rrugës janë dëmtuar totalisht. Edhe në këtë segment po punohet me mjete për largimin e depozitimeve dhe rruga është e kalueshme, kurse në km 13.9, qarkullohet me një kalim.

Në qarkun e Korçës, në aksin Korçë – Ersekë, në km 41 – 42 në hyrje të qytetit të Ersekës, si rezultat i reshjeve të vazhdueshme dhe shumë intensive ka patur rrëshqitje dhe shkëputje të masiveve të dheut që ndodhen gjatë shpateve të rrugës dhe mbi shpatet e rrugës. Për pasojë, në një gjatësi rreth 400 m prurjet e ngurta janë depozituar në sipërfaqe të rrugës duke e bllokuar totalisht atë.
Prurjet e ngurta përbëhen nga shkëmbinj, gurë, dhera, materiale drusore dhe lartësia e depozitimeve është rreth 1 deri në 1,5 m. Volumi total i prurjeve të ngurta në sipërfaqen e rrugës është rreth 3000 m3.
Është punuar vazhdimisht me mjete të rënda dhe aktualisht rruga është e kalueshme me një kalim.
Në qarkun e Kukësit, ka rënie gurësh në rrugë, të cilat janë pastruar nga ish kontraktoret. Qarkullimi është normal në të gjitha akset e këtij qarku.

Në qarkun e Dibrës në aksin Skurraj – Burrel dhe Burrel – Qafe Bualli ka patur rënie gurësh në rrugë, të cilët kanë krijuar probleme në qarkullim. Inspektorët dhe firmat kontraktore, po punojnë për normalizimin e situatës.
Në qarkun e Shkodrës, në disa akse të këtij qarku ka patur rënie gurësh dhe aluvionesh në rrugë, të cilat janë pastruar nga kontraktorët.

Në aksin Rrëshen – Tuneli i Thirrës, në disa segmente ka shembje të dherave dhe bllokime të kanaleve anësore dhe tombinove, dëmtim të pritave mbrojtëse si dhe spostim të shtresës asfaltike nga vija e projektit. Megjithatë qarkullimi kryhet normalisht në këtë aks.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: