Nga: Klodiana Haxhiaj

DURRES-Të gjithë qytetarët e Shqipërisë e mbajnë mend, para dy javësh kur zjarrfikësit e Durrësit evakuuan 600 fëmijë të shkollës ‘Met Hasa’ në Porto Romano sepse shkolla u përmbyt duke shkuar uji në 1.5 metra.

Pas disa javësh banorët janë hedhur në protestë duke i kërkuar bashkisë të zhbllokojë kanalet e bllokuar nga biznese të zonës aty pranë. Kanali i ujërave të larta që përshkon të gjithë zonën kodrinore të Durrësit nga Mazoleumi i Dëshmorëve e përfundon në Hidrovorin e Porto- Romanos ka shpërthyer disa herë duke sjellë edhe përmbytjen e këtyre banorëve.

Banorët thonë se kanalet e bllokuar në të cilët nuk është vënë dorë prej kohësh kanë shkaktuar përmbytje të vazhdueshme ndërsa nuk është bërë asnjë dëmshpërblim real për banorët e dëmtuar. Ata thonë se edhe djegia e plehrave të të gjithë Durrësit në këtë zonë ka impakt shumë negativ tek fëmijët e banorët e zonës.

Fare pranë kësaj lagjeje ndodhet fusha e mbetjeve urbane në një sipërfaqe prej 40 hektarësh ku depozitohen qindra ton mbetje çdo ditë dhe më pas u vihet zjarri duke shpërndarë tymin e zi në të gjithë lagjen e më pas në qytet. Djegia e plehrave e mungesa e një lanfilli ka shkaktuar shumë problem të rënda shëndetësore të komuniteti i kësaj zone.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: