TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur sot solidarizimin me banorët e zonave të përmbytura duke njoftuar se degët e PD-së në rrethe do të jenë në mbështetje të qytetarëve. “Të gjitha degët lokale të Partisë Demokratike do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet vendore”, shkruan Basha në profilin e tij të Facebook, ndërkohë që sërish akuzon kryeministrin se nuk po u vjen në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura duke i bërë thirrje për të ngritur Shtabin e Emergjencës.

“Solidarizohemi me banorët në zonat e përmbytura në jug të vendit dhe në të gjitha zonat e veriut dhe lindjes ku reshjet e borës kanë bllokuar mijëra banorë dhe kanë ndalur ose vështirësuar qarkullimin. Të gjitha degët lokale të Partisë Demokratike do të jenë në mbështetje të qytetarëve dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet vendore. Jeta dhe prona e qytetarëve është parësore. Në kulmin e fatkeqësisë natyrore të reshjeve dhe përmbytjeve në gjithë vendin, kryeministri lajmëron se do të vijojë me prishjet e shtëpive të hallexhinjve në Vlorë pa i kompensuar fare me vlerë tregu. Ky është një qëndrim cinik i ligësisë së pashoqe të dyshes Rama-Meta që në vend që të çojne mjetet e rënda për të zhbllokuar rrugët, vendosur prita për përmbytjen e lumenjve, dhe parandaluar dëmet e mëtejshme tani po mendojnë si t’ia kalojnë natyrës për dëmtimin e njerëzve”, shkruan Basha.
Ai i kërkon kryeministrit Rama të ngrejë urgjentisht shtabin e emergjencës dhe tu vijë në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga përmbytjet. “Kryeministri të ndalë kërcënimet e zullumet ndaj qytetarëve, të lërë llafet dhe pozat para ekraneve. Të ngrejë urgjentisht shtabin e emergjencës dhe t’u vijë në ndihmë banorëve në zonat e goditura”, ka shkruan kreu i demokratëve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb