PRISHTINË- Kosova do të dërgojë të shtunën kontingjentin e dytë të ndihmave, kontribut i disa bizneseve vendore, në drejtim të zonave të përmbytura në komunën e Levanit, në qarkun e Fierit.

Ndihma këtë herë konsiston në 200 krerë bagëti, ushqime, veshmbathje, miell si dhe ushqim për kafshët. Në 7 shkurt portën kufitare në Vërmicë-Morinë e kaluan 15 kamionë nga Kosova me ndihma në vlerë 300 mijë euro për banorët e zonave të përmbytura në Shqipëri.
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë bënte të ditur se nga pika kufitare e Vërmicës biznese të ndryshme të Kosovës nisën drejt Vlorës ndihma në ushqime për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e ditëve të fundit. Janë dërguar 15 kamionë të tonazheve të larta, me një vlerë rreth 300 mijë euro. Një pjesë e konsiderueshme e ndihmës ishin edhe ushqime për bagëtitë.

Në Prizren nga mëngjesi u bënë bashkë kamionët me ndihma nga rajone të ndryshme të Kosovës, pasi një ditë më parë ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, me kërkesë të bizneseve kosovare ka zhvilluar një takim në Prishtinë me donatorë ndihmash për zonat e prekura nga përmbytjet në Shqipëri.

Me atë rast u paralajmërua se ditët e ardhshme edhe më shumë biznese nga Kosova, por edhe nga Lugina e Preshevës, pritet të jenë pjesë e këtyre ndihmave drejt Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: