Presidenti Ilir Meta reagon për situatën e krijuar nga përmbytjet në vend, si pasojë e motit të keq.

Në një postim në “Facebook”, Kreu i Shtetit thekson se “problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë”.

Teksa solidarizohet me banorët e prekur nga përmbytjet dhe ngricat, Presidenti Meta iu bën thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.

Reagimi i Presidentit Meta:

Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokura nga reshjet e borës.
Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.
Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.
Gjithashtu në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës.
Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditesh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit.
Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb