Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur për mediat nga Shkodra, ku ndodhet për të parë nga afër situatën dhe angazhimin e strukturave për përmbytjet dhe reshjet. Peleshi tha se ka një rënie të nivelit të ujërave me disa centimetra dhe shprehu optimizëm për përmirësim të situatës. Ai deklaroi se ka një rritje të gatishmërisë së FA-ve dhe gjithë institucioneve, teksa foli për disa evakuime në Lezhë e Shkodër.

Keni filluar inspektimin në Lezhë dhe tani keni mbërritur në Obot. A keni informacion për gjendjen?
Kam marrë një informacion që këtu në Obot, njësia Administrative Ana e Malit, për sa i përket sipërfaqes, nuk kemi tërheqje të ujërave sepse e tillë është natyra, jemi në një sipërfaqe nën nivel, por është pozitive që kemi një ulje të lehtë të nivelit disa centimetra dhe era që po fryn po e përshpejton çuarjen e ujërave drejt detit. Kemi gjithashtu një pozitivitet tjetër për sa i përket reshjeve, siç e shikoni nuk ka reshje në gjithë vendin, kjo ka bërë që situate në Lezhe të jetë shumë e përmirësuar, por këtu do të shkojë disi më ngadalë drejt përmirësimit. E rëndësishme është të mos kemi përmbytje në Fushën e Bushatit dhe gjasat janë që do të arrijmë ta evitojmë. Pavarësisht se reshjet do të shtohen sot dhe sidomos pasnesër në datën 11, por po bëhet një menaxhim shumë I mirë i kaskadës.

Sot kam komunikuar edhe me drejtorin e KESH, dje edhe me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë kemi pasur një komunikim intensive po menaxhohet mirë kaskada. Fierza po punon për të mbyllur dhe ka Akoma rreth 10 metra rezervë për t’u mbushur. Nuk besojmë se do arrijmë në pika kritike deri kur do të jetë intensiteti normal i reshjeve. Edhe në Vaun e Dejës ka shkarkime normale, shpresojmë që nuk do të përkeqësohet situata. Sa i takon njeriut, jemi të gjithë në gatishmëri.

Drejtori i Emergjencave Civili ka qenë gjatë gjithë ditës dje, sot dhe do të jetë në gjithë ditët në vazhdim. Ne do të jemi prezent për të ndihmuar shtabet pranë bashkive, institucionin e perfektit të cilin dua ta përgëzoj ka bërë një punë shumë të mirë koordinative. Janë dhjetëra trupa të FA, të Komandës Mbështetëse prezente aktualisht dhe qindra të tjerë janë në dispozicion. Siç e shihni këtu është i domosdoshëm mjeti për komunikimin me fshatin i cili e ka ndërprerë rrugën për shkak të përmbytjes, por ne kemi siguruar aksesin e banorëve të fshatit përmes mjeteve tona të FA. Janë marr të gjitha masat dhe shpresoj se do të menaxhohet shumë mirë, kemi rezultate të mira krahasuar me vitet e kaluara për të njëjtën sasi prurjesh. Nëse dëshironi një shifër ditën e djeshme prurjet në hidrocentrale kanë qenë rreth 4200m3/sek dhe kemi situatën që ju shihni. Ndërkohë para 10 vitesh është përmbytur pothuajse gjithë Shkodra për prurje pothuajse sa gjysma e këtyre. Rreth 2500m3/sek kanë qenë prurjet kur është përmbushur gjithë Bushati dhe ka qenë periudha dramatike për përmbytjeve.

Në rast të një përkeqësimi të mundshëm jeni në gjendje me bazë materiale dhe mjete për të garantuar evakuimin?
Patjetër. Dje kemi pasur dy-tre ngjarje evakuimi në Lezhë. Një në qytet dhe dy në zonat e përmbytura, zonë rurale. Edhe në Shkodër kemi pasur disa evakuime. Kemi 260 trupa speciale vetëm nga FA, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1200 trupa të angazhuara. Kemi rritur gatishmërinë, kemi kaluar një nivel më lartë, pra kemi dyfishuar gatishmërinë që para 3 ditësh, gjithashtu në rast se flasim në nivel kombëtarë të gjitha bashkitë kanë angazhuar dhe mobilizuar 1500 trupa të gatshëm. Kuptohet këto shifra janë për një skenarë që jo vetëm nuk e urojmë por nuk e besojmë se do të ndodh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb