Më shumë se 7 milionë njerëz në Bangladesh kanë nevojë të menjëhershme për strehim dhe ndihmë emergjente për shkak të përmbytjeve, ka raportuar një agjenci ndihmash, e cila e ka përshkruar si përmbytjen më të madhe që ka goditur Azinë Jugore dekadat e fundit.

Qindra mijëra shtëpi pranë kufirit Bangladesh-Indi janë nën ujë dhe lagje të tëra janë zhytur në ujë. Sipas shifrave zyrtare, të paktën 207 njerëz në të dy vendet kanë vdekur që nga fillimi i përmbytjeve në prill.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), kanë bërë me dije se shiu i rrëmbyeshëm ka bërë që lumenjtë në Bangladesh të vërshojnë, duke përmbytur zonat në kufi me shtetin indian të Meghalaya.

Rreth 94% e qytetit Sunamganj të Bangladeshit dhe 84% e rrethit Sylhet përreth janë përmbytur tani, tha IFRC. Rrugët që të çojnë në rajon janë ndërprerë kryesisht dhe ka ndërprerje të energjisë edhe në zona jo të prekura.

Qytetarët e shtetit Meghalaya kanë përjetuar reshjet me intensitet më të lartë ndër dekada, gjë që ka bërë që sistemet e mëdha të lumenjve që rrjedhin midis Indisë dhe Bangladeshit të vërshojnë dhe të përmbytin zonat përreth, shkruan CNN.

Gjysmëhëna e Kuqe e Bangladeshit po shpenzon 10 milionë dollarë për operacionet e ndihmës dhe rimëkëmbjes. Ekipet vullnetare në terren kanë shpërndarë ushqime dhe ujë të pijshëm.

FNKKK ka nisur një apel urgjent për të mbledhur 7.8 milionë dollarë të tjera, të cilat sipas saj mund të ndihmojnë 300,000 njerëz të tjerë.

Agjencitë e ndihmës thonë se komunitetet e prekura më rëndë nga përmbytjet priren të jenë ato janë më të varfrat.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb