ATHINE- Kanë mjaftuar vetëm pak minuta, që të humbin çdo gjë kishin krijuar në 27 vite, e tashmë do të fillojnë jetën e tyre nga fillimi. Tragjedia e ndodhur në Mandra të Athinës goditi edhe familjet shqiptare që jetojnë në këtë zonë.

Plot 19 janë të vdekurit deri tani dhe një i humbur. Mes tyre edhe Petro Koleci, nga Saranda. Trupi i të riut është gjetur mes shkatërrimeve të përmbytjes, me ndihmën e qenve të repartit zjarrfikës. 29-vjeçari shqiptar rezultonte i zhdukur prej disa ditësh. Mësohet se i riu nga fshati Kodër, Bashkia Finiq, djali i vetëm i familjes Koleci, jetonte prej 25 vitesh në Greqi dhe punonte si hidraulik.

Shiu ka pushuar në Mandra, por situata është kaotike. Qindra godina të dëmtuara, mijëra njerëz që humbën mundin e një jete të tërë, shkolla e fabrika të përmbytura, automjete të flakura tej sikur të ishin lodra, e mes tyre trupa të pajetë që ende vazhdojnë gjenden në det. Kjo është pamja që shihet në këtë zonë.

Më shumë se 2.000 familje gjenden në kushte të vështira, në qiell të hapur dhe pothuajse pa asnjë ndihmë nga shteti. Tragjedia ka goditur rreth 30 familje emigrantësh shqiptarë, të cilët – veçse kanë humbur çdo gjë, – tashmë përballen me shumë vështirësi për të mbijetuar.

Stefan Bono tregon momentet e tmerrit, kur mëngjesin e së mërkurës ndieu një tronditje të fortë dhe pa sesi një rrjedhë e furishme uji dhe balte i rrëmbyen makinën dhe përmbytën katin e parë të banesës.
“U shqye porta, na mori uji e na përplasi në mur, e më pas te frigoriferi teksa vinim rrotur mes ujit. Për fat të mirë që ishte nusja ime prapa dhe na kapi të dyve, edhe mua, edhe djalin, se do të kishim dalë nga porta për në det. Jam i gjithi i nxirë nga goditjet, vinin tulla e blloqe”, rrëfen Stefan Bono.

Mes lotëve, Violeta Bono thotë se tashmë humbi çdo gjë kishte, por është e kënaqur që e gjithë familja e saj është shëndoshë e mirë. Ajo thotë se askush nuk iu ka ardhur në ndihmë, madje familja përballet me racizmin e autoriteteve dhe kërkon ndihmën e shtetit amë.

“Ndihmë duam nga shteti ynë, sepse këta nuk interesohen fare për neve. Këta janë racistë, nuk na japin as çizme të veshim. Hyni brenda, por unë nuk kam se me çfarë të ha bukë sot. Askush nuk do t’ia dijë”, shprehet Violeta Bono.

Përparim Hasaj humbi çdo gjë kishte mundur të krijojë me mund gjatë këtyre viteve në mërgim. Fatmirësisht mundi të shpëtojë fëmijët dhe gruan e tij, falë ndihmës së fqinjit, i cili tërhoqi fëmijët në katin e parë. Edhe Përparimi i bën apel qeverisë shqiptare që t’i ndihmojë, pasi sipas tij askush nuk do t’i ndihmojë në Greqi.

“Vetëm shqiptarët kanë qenë pranë nesh”, thotë ai. Por pavarësisht fatkeqësisë, të bindur se jeta vazhdon, ata thonë se do ta përballojnë edhe këtë vështirësi./tch/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb