Përmbytjet e rrëmbyeshme që përshkuan një fshat gjatë natës vranë më shumë se 100 persona, shumë prej të cilëve fëmijë ndërsa flinin, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, thanë zyrtarët lokalë për AFP të shtunën.

Përmbytjet u shkaktuan nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përshkuan fshatin Kasaba në provincën Sud Kivu gjatë natës së të enjtes dhe të premtes, tha për AFP Bernard Akili, një zyrtar rajonal.

Shirat e rrëmbyeshëm bënë që lumi Kasaba të dilte nga shtrati gjatë natës, me ujërat e rrëmbyeshme që “morën gjithçka në rrugën e tyre, gurë të mëdhenj, pemë të mëdha dhe baltë, përpara se të shkatërronin shtëpitë”, tha ai.

“Viktimat që vdiqën janë kryesisht fëmijë dhe të moshuar”, tha ai, duke shtuar se 28 persona u plagosën dhe rreth 150 shtëpi u shkatërruan.

Sammy Kalonji, administratori rajonal, tha se të paktën 104 persona  vdiqën ndërsa u shkaktuan “dëme të mëdha materiale”.

Një banor tjetër vendas i tha AFP-së se deri të shtunën ishin gjetur rreth 119 trupa.

Fatkeqësi të tilla natyrore janë të shpeshta në RDK, veçanërisht në brigjet e liqeneve të mëdha në lindje të vendit, me kodrat përreth të dobësuara nga shpyllëzimi.

Në vitin 2023, përmbytjet vranë 400 njerëz në disa komunitete të vendosura në brigjet e liqenit Kivu, në provincën e Kivu Jugor.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: