Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Pakistan është rritur në 1.638, pasi 42 persona të tjerë humbën jetën në aksidente të lidhura me përmbytjet gjatë fundjavës.

Administrata shtetërore për menaxhim me katastrofa (NDMA) tha se që nga mesi i qershorit, 12.865 persona janë lënduar në aksidente të lidhura me shiun dhe përmbytjet në të gjithë vendin.

Theksohet se 824.169 shtëpi u shkatërruan plotësisht, ndërsa më shumë se 1.22 milionë shtëpi u dëmtuan pjesërisht në të gjithë vendin e Azisë Jugore.

NDMA theksoi se 1.1 milion frymë bagëti kanë ngordhur që nga qershori.

Shirat dhe përmbytjet shkatërruan 12.716 kilometra rrugë, 374 ura dhe ndërtesa në të gjithë vendin e Azisë Jugore, i cili gjithashtu po lufton me trazirat politike dhe ekonomike.

Më shumë se 33 milionë nga rreth 220 milionë banorët e vendit u prekën nga përmbytjet ndërsa dëmi i infrastrukturës është më shumë se 30 miliardë dollarë.

Rreth 45 për qind e tokës së punueshme është e përmbytur, gjë që përbën kërcënim serioz për sigurinë ushqimore dhe kontribuon gjithashtu në rritjen e inflacionit.

Qindra mijëra njerëz të zhvendosur përballen me infeksione të lëkurës dhe syve, sëmundje të shkaktuara nga uji dhe ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se do të ketë më shumë vdekje nga diarreja, sëmundjet gastrointestinale, tifoja, malaria, dengoja dhe infeksione të tjera sesa nga shiu dhe përmbytjet.

Deri më tani, 126 avionë me ndihma humanitare kanë mbërritur në Pakistan nga Türkiye, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, SHBA-ja, Britania e Madhe, Uzbekistani, Franca, Arabia Saudite, Jordania, Omani, Nepali, Turkmenistani, UNICEF-i, UNHCR-ja dhe Programi botëror për ushqim.

Türkiye po ashtu dërgoi të dielën një tren tjetër humanitar që transportonte më shumë se 768 tonë ndihma.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb