Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi ka qenë dje në qarkun e Durrësit, për të parë nga afër situatën e fundit të shkaktuar nga reshjet e shumta të shiu.

Ekonomi u ndal edhe në hidrovorin e Hamallajt, i rikonstruktuar sëfundmi pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Strukturat e Drejtorisë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit janë të gjitha në gatishmëri.

“Reshjet intensive të këtyre ditëve, na bënë të lëvizim në të gjithë territorin e vendit për të parë nga afër se si është situata në përballimin e reshjeve të shumta që kanë rënë këto ditë. Në Hamallaj, nga afër po ndjekim veprimtarinë e hidrovorit, i cili ka qenë i dëmtuar nga tërmeti, ndërsa sot sic e shikoni është në punë me kapacitet maksimal dhe të treja pompat funksionojnë pandërprerje. Kjo situatë do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe do të lidhet shumë me sasinë e reshjeve që bien këto ditë. Është e rëndësishme të vëmë në dukje që gatishmëria e të gjitha strukturave ka qenë e plotë. Hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë falë edhe furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike nga OSHEE.”, tha Ikonomi.

Ndërkohë grupet e punës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Drejtorive Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit dhe të gjitha strukturat e tjera të emergjencave civile janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb